Të shtëna me armë janë dëgjuar të dielën pasdite në rrugën “Gjon Nikoll Kazazi” në Gjakovë, ku një person dyshohet se ka shkrepur armën disa herë, gjatë një përleshke që ka ndodhur mes disa të rinjve.
Rasti është denoncuar nga viktimat, teksa Policia ka arritur të identifikojë vetëm njërin nga të dyshuarit.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se dy të rinjtë që e raportuan rastin kanë deklaruar se janë sulmuar fillimisht nga dy të dyshuarit, e më pas i dyshuari tjetër ka nxjerrë armën dhe ka shtënë tri herë.
Sipas informacioneve të para, askush nuk ka mbetur i lënduar nga ky rast, teksa të dyshuarit janë larguar nga vendi i ngjarjes.
Bazuar në dëshminë e viktimave, të dhënë para hetuesve policorë, të dyshuarit kanë ikur me veturën e tyre dhe nuk dihen motivet e këtij incidenti.
Të njëjtat burime thonë se njësitë përkatëse kanë kryer ekzaminimet e nevojshme, ndërsa lidhur me rastin është vënë në dijeni dhe Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar nisjen e hetimeve për kapjen e të dyshuarve./PrishtinaPress/