Të paktën dy persona kanë mbetur të lënduar si pasojë e një aksidenti ndërmjet dy veturave në Korreticë të Lartë afër vendit të quajtur Kroi i Mbretit.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës Daut Hoxha ka konfirmuar se aksidenti ka ndodhur rreth orës 19:30, ku një veturë e tipit BMW që vinte në drejtim të Prishtinës humb drejtimin dhe kalon barrierat në mes të rrugës, duke kaluar në shiritin e rrugës në drejtim të Pejës ku godet veturën e tipit Smart.
“Raportohet se deri në këtë fazë janë lënduar dy persona. Zjarrfikësit dhe autoambulanca janë në vend ngjarje. Gjithashtu disa dëme materiale raportohet të jenë shkaktuar nga një automjet tjetër i tipit Polo, i cili në atë lokacion ka goditur autoambulancën nga mbrapa”, ka thënë ai.
Policia e Kosovës në vazhdimësi kërkon nga vozitësit respektimin e rregullave dhe shenjave të trafikut, në veçanti ato të kufizimit të shpejtësisë, dhe se po ndërmerren masa aktive ligjore me qëllim të shmangies së aksidenteve në trafik që shpesh përveç dëmeve materiale, po përfundojnë edhe me pasoja njerëzore.