-0.1 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Buy now

spot_img

Të mbijetuarit e Marokut: ‘Kemi humbur gjithçka’

Numri i viktimave nga tërmeti në Marok ka shkuar në mbi dy mijë të vdekur. Ekipet e shpëtimit po vazhdojnë kërkimet për të mbijetuarit nëpër fshatrat e shkatërruara ku shtëpitë me tulla balte, gurë dhe dru pësuan dëmtime dhe minaret e xhamive u rrëzuan nga tërmeti. Ndërkaq, banorët që i mbijetuan tërmetit po tregojnë histori tmerri për atë që përjetuan.

Darka e së premtës më 8 shtator për Yassin Noumgharin mbeti pothuajse e paprekur, ndërsa jeta e tij dhe e familjes së tij u kthye përmbys. Brenda pak sekondash tryeza e darkës u varros poshtë rrënojave të shtëpisë së tyre tashmë të kthyer në gërmadhë.

“Ky është vendi ku ishim ulur për darkë dhe gjithçka ndodhi brenda pesë sekondash”, tregon zoti Noumghar.

Banorë të tjerë thonë se ka ende njerëz që kanë mbetur nën gërmadha.

“Ka ende njerëz të varrosur këtu në këtë shtëpi, ata nuk morën ndihmën që u duhej dhe vdiqën. Unë i shpëtova fëmijët e mi dhe po përpiqem të gjej batanije dhe ndonjë gjë për të veshur për ta”, thotë Husein Adnaie, një i mbijetuar tjetër.

Fshati Moulay Brahim është një nga më të shkatërruarit nga tërmeti që u mori jetën mbi 2 mijë njerëzve, ndërsa operacionet e ekipeve të shpëtimit vazhdojnë të kërkojnë për të mbijetuar të tjerë.

Ministria e Brendshme njoftoi mëngjesin e së dielës për mbi 2 mijë të vdekur dhe mbi 2 mijë të plagosur, duke thënë se mbi 1400 ndodhen në gjendje kritike. Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se më shumë se 300,000 njerëz janë prekur nga fatkeqësia.

Epiqendra e tërmetit ishte rreth 72 km në jugperëndim të Marakeshit, një qytet që njihet për xhamitë dhe ndërtesat mesjetare dhe tërheq shumë turistë.

“Ne po qëndronim në Marakesh dhe në hotelin tonë të gjithë njerëzit flinin jashtë pranë pishinës sepse kishin frikë nga pasgoditjet e tërmetit”, tregon zonja Kirsten Dixon, e cila po qëndronte në Marrakesh për një çështje biznesi.

Një kamera sigurie ka regjistruar momentin e tërmetit në Marakesh ku shihet një burrë që vrapon ndërsa pjesë të një ndërtese fillojnë të bien në rrugë.

Të dielën Papa Françesku ofroi lutje dhe solidaritet për viktimat e tërmetit më vdekjeprurës të Marokut në më shumë se gjashtë dekada.

“Dua të shpreh afërsinë time me njerëzit e dashur të Marokut, të goditur nga një tërmet shkatërrues. Lutem për të lënduarit, për ata që kanë humbur jetën dhe për të afërmit e tyre. Falenderoj shpëtimtarët dhe të gjithë ata që po punojnë për të lehtësuar vuajtjet e njerëzve. Ne qëndrojmë me popullin e Marokut”, tha Papa Françesku.

Maroku ka shpallur tre ditë zie dhe Mbreti Mohammed VI bëri thirrje që të dielën të mbahen lutje për të vdekurit në xhamitë e të gjithë vendit./VOA

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img