7.3 C
Pristina
Wednesday, November 20, 2024

Buy now

spot_img

Të korrigjohen pagat e bordeve të ndërmarrjeve publike

Kryetari i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, njëherësh deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Kuvendin e Kosovës, Muhamet Mustafa, ka thënë se duhet të korrigjohen pagat e anëtarëve të bordeve të ndërmarrjeve publike.

Sipas tij, ende nuk ka shembull të marrjes së përgjegjësisë nga ana e ndonjë bordi për gjendjen e organizatave të cilat i udhëheqin. “Ka pasur dhe ka vërejtje të arsyeshme për pagat e larta të anëtarëve të bordeve të ndërmarrjeve publike, pa marrë parasysh performancën e tyre si dhe trendin e pagave në vend. Kjo duhet të korrigjohet me Ligjin mbi pagat, i cili është në diskutim.

Njësoj, në mos më shumë problematike, sesa pagat e larta të bordeve, për mua është se ata e ndiejnë veten komodë me statusin e tyre, pa marrë parasysh perfomancën dhe rezultatet afariste të ndërmarrjes publike apo agjencisë të cilën ata e qeverisin.

Ende nuk kemi shembull të marrjes së përgjegjësisë të ndonjë bordi për gjendjen e organizatës të cilën ai bord e udhëheq edhe kur situata do ta kërkonte një gatishmëri të tillë. Andaj është kaq në modë për t’u bërë anëtar i ndonjë bordi e kështu nuk do të ishte nëse ata do të thirreshin në përgjegjësi për dështim në qeverisje të organizatave dhe agjencive”, ka deklaruar Mustafa në këtë intervistë për gazetën “Epoka e Re”.

Ai ka thënë se niveli i investimeve të huaja direkte në Kosovë, në shumën prej gati 100 milionë eurosh, ka rënë në saje të jostabilitetit politik dhe imazheve negative që janë paraqitur në dy vjetët e fundit në arenën ndërkombëtare. “Duhet të jemi të vetëdijshëm se imazhi i vendit tonë jashtë nuk prezantohet aq i mirë për shkak të jostabilitetit politik dhe perceptimeve mbi korrupsionin dhe dobësitë e pranishme në zbatimin e ligjit e shtetit ligjor. Këto ndikojnë tek investitorët për destinacionin që ata zgjedhin për të investuar”, ka deklaruar Mustafa. Mustafa ka shprehur optimizëm se niveli i investimeve do të shënojë rritje falë politikave fiskale që janë ndërmarrë.

Ai ka folur edhe për performancën ekonomike të dy vjetëve qeverisje të koalicionit LDK-PDK. Sipas tij, gjatë kësaj periudhe ekonomia ka shënuar progres.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img