Presidenca e Kosovës, partitë opozitare, organizata të ndryshme e njohës të çështjes, kanë reaguar pas vendimit të Zyrës së Rregullatorit për të shtrenjtuar energjinë elektrike. Deri më tani, vetëm Qeveria në detyrë, e drejtuar nga Lëvizja Vetëvendosje, s’e ka thënë as edhe një fjalë sa i përket këtij zhvillimi që po konsiderohet si i papërballueshëm për qytetarët.
Pasditen e së premtes, përmes një komunikate për media, presidenca e Kosovës dha qëndrimin e saj për këtë vendim, duke e kundërshtuar.
“Presidenca e Republikës së Kosovës kundërshton propozimin për rritjen e çmimit të energjisë elektrike në vend, pasi ky propozim është në kundërshtim me kornizën ligjore që e obligon ZRRE-në të përkujdeset për mbrojtjen e konsumatorit dhe injoron situatën ekonomike dhe aspektin e mirëqenies në vend.
Ashtu si në shqyrtimin e jashtëzakonshëm të vitit 2023, Presidenca ka analizuar raportet konsultative për përshtatjen e të Hyrave Maksimale të Lejuara të operatorëve energjetikë dhe tashmë ka dorëzuar komentet e saj tek ZRrE” – thuhej mes tjerash në një reagim.
https://www.facebook.com/plugins/post.php?href=https%3A%2F%2Fwww.facebook.com%2FPresidencaRKS%2Fposts%2Fpfbid02R1RBZAnWGYfxbyLA1C7rGAiXdZ6c9wMgbuyzowcFr3hqx2CJVQyNTFVVwUSbtiGhl&show_text=true&width=500
Partitë e mëdha opozitare, PDK e LDK, po ashtu kanë dalë kundër këtij vendimi. Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku së fundi ka deklaruar se në Kosovë “jetesa po bëhet luks”.
“Kosova, viti 2025 – vendi ku jetesa po bëhet luks! Rritje pas rritjeje! Çmimet e produkteve më elementare – vezë, bukë, perime, ujë – po arrijnë majat. Energjia elektrike? Është bërë barrë e papërballueshme. Në çdo shtëpi ndjehet frika e faturës së ardhshme.
“Dhe në këtë realitet të zymtë, kush është në krye? Një kastë qeverisëse e izoluar nga realiteti. Jo vetëm e paaftë për të adresuar hallet e përditshme të qytetarëve, por edhe arrogante, shurdhe” – ka shkruar ajo.
Ndërsa sipas deputetes së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, rritja e tarifave të energjisë do të ndikojë direkt në rritjen e çmimeve të produkteve bazë, si buka, qumështi dhe transporti.
“Rritja prej 15% e çmimt të energjisë për shpenzuesit komercial (bizneset) është drejtpërdrejtë kosto shtesë për të gjitha produktet dhe shërbimet e tyre. Rritja e çmimit të energjisë është goditja e parë, por jo e fundit, sepse kur bizneseve u rriten shpenzimet, atëherë çmimet e të gjitha produkteve bazë do të rriten përsëri si: çmimi i bukës, qumështit, vajit, sheqerit, transportit dhe çdo produkti tjetër të domosdoshëm për jetesë. Pra, standardi i jetesës në vitin 2025 do të jetë më i ulët se ai i vitit 2020.” – ka shkruar Bajrami ndër të tjera.
Një nga zërat më kritikë ndaj rritjes së tarifave është njohësi i ekonomisë Shenoll Muharremi, i cili e lidh këtë vendim me keqmenaxhimin në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK).
Siç ka theksuar ai para pak ditësh, dështimi i KEK-ut për të prodhuar energji të mjaftueshme ka detyruar kompaninë KEDS të importojë “energji me vlerë 37 milionë euro më të lartë sesa niveli i lejuar nga ZRRE.”
“Si pasojë, pamundësia e KEK-ut për të prodhuar energjinë ka detyruar KEDS-in të importojë energji me vlerë 37 milionë euro më të lartë sesa niveli i lejuar nga ZRRE. KEDS po i bën presion ZRRE-së që të jetë më profesionale në parashikime, por në fakt, ZRRE-ja e ka parashikuar mirë situatën, KEK-u nuk ka gjeneruar aq sa ka planifikuar dhe i ka vendosur në pozitë të vështirë aktorët e tjerë në ekosistem.” – ka vlerësuar ai.
Ndërkohë, në krejt situatë, ende nuk ka një reagim nga Qeveria e Albin Kurtit apo partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje.
ZRrE së fundi ka njoftuar se çmimi i energjisë elektrike pritet të rritet për 15 për qind, nga prilli i këtij viti.