Site icon PrishtinaPress

Të gjitha shkarkimet dhe emërimet e ministrave në Qeverinë Haradinaj

Me suksese, kritika, sfida e shumë aktakuza ndaj ministrave, të mërkurën (më 10 shtator), Qeveria e Kosovës e drejtuar nga kryeministri Ramush Haradinaj mbushi një vit nga themelimi.

Haradinaj gjatë këtij viti u përballë me shumë kërkesa për shkarkimin e ministrave që kishte caktuar bashkë me liderët e koalicionit qeverisës, shkruan Indeksonline.

Kështu pas shtatë muajsh qëndrimi në krye të ministrisë së Punëve të Brendshme (30 mars), Flamur Sefaj u shkarkua nga kjo pozitë me urdhër të kryeministrit Haradinaj.

Arsye për shkarkim të tij ishte operacioni i policisë për arrestimin e profesorëve gylenistë, të cilët u ekstraduan në Turqi, për të cilët kryeministri ka thënë se ishte kryer pa dijeninë e tij.

Nuk kaloi shumë kohë, më saktë më 13 prill në vend të Sefajt u emërua Bejtush Gashi, i cili deri atëherë ushtronte postin e zëvendësministrit të Forcave të Sigurisë së Kosovës.

Gjatë mandatit të Gashit, në Kosovë u realizuan disa aksione policore. Por me punën e tij, nuk u nda i kënaqur kryeministri Haradinaj, për të cilin në ditën e emërimit thoshte se do t’i sjell vendit cilësi të re dhe përvojë të madhe në fushën përkatëse.

Por, nuk i doli siç e kishte paramenduar. Pas pesë muajsh ushtrimi të postit të ministrit, Gashi bëhet ministri i dytë që shkarkohet nga udhëheqësia e MPB-së.
Për ta plotësuar për të tretën herë këtë post, dje kryeministri Ramush Haradinaj ka emëruar Ekrem Mustafën në krye të këtij dikasteri të rëndësishëm të fushës së sigurisë.

Megjithatë, nuk ishte e vetmja kjo ministri që nuk po rehatohej me udhëheqës. Ende pa i mbushur një vit si ministre, më 1 gusht, Albena Reshitaj e Aleancës Kosova e Re dha dorëheqje nga pozita e ministres së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Reshitaj u mjaftua të njoftonte për dorëheqje përmes një postimi në Facebook, duke thënë se këtë vendim e mori për arsye personale.

U desh të kalojnë më shumë se dy muaj që kjo ministri të mbes pa zot shtëpie, por vetëm me ushtrues detyre. Pacolli pas largimit të Reshitaj, e emëroi Fatmir Matoshin u.d. të ministrit të MMPH-së.

Nga ushtrues detyre, dje kryetari i AKR-së, e emëroi Matoshin ministër të MMPH-së, për të cilin u pajtuan edhe partnerët e koalicionit.

Në mesin e ministrave që nuk patën fatin të shijojnë as një vit qeverisje, ishte edhe Bajram Hasani i Nismës Socialdemokrate.

Kështu, me kërkesë të Qeverisë së Kosovës, Nisma më 5 shtator ka liruar Hasanin nga detyra e ministrit të Tregtisë dhe Industrisë.

Limaj pas lirimit të Hasanit, kishte thënë se ky vendim erdhi pas disa lëvizjeve që u bënë brenda partisë që ai drejton, pa dhënë detaje shtesë.

Limajt iu deshën më pak se një muaj të vendos se kë të emëroj në vend të Hasanit. Më 1 tetor, ai i propozoi Haradinajt që në krye të MTI-së të emëroj Endrit Shalën, anëtarin e kryesisë së Nismës dhe njeriun e tij më të afërt.

Kujtojmë se kryeministri Haradinaj para disa muajsh as nuk mendonte të bënte reformatim të kabinetit të tij qeverisës. Ai në maj të këtij viti kishte thënë se është i kënaqur me punën e të emëruarve dhe se nuk ka asnjë ministër për të cilin mund të thotë se s’punon.

“Ne kemi shqetësim në ekonomi, në shëndetësi edhe pse po punohet shumë. Kemi shqetësime në rend dhe ligj. Ka shumë punë për t`u bërë. Por nuk kam asnjë ministër që mund të them që s’po punon. Besomëni që s`ka të bëjë me numra ,në momentin që një ministër s’punon i them ec bre bir ose bijë në shtëpi se s’po punon”, kishte thënë Haradinaj.

Vlen të ceket se Qeveria e tanishme e vendit ka gjithsej 21 ministri, dhe mbi 70 zv/ministra, të gjitha këto poste të cilat i kushtojnë qytetarëve të Kosovës.

Exit mobile version