3.3 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Buy now

spot_img

Te Drejtat Mjedisore

Shkruan: Labinot Smakaj

Ne si qenie njerëzore jemi pjesë e natyrës dhe të drejtat tona janë të ndërlidhura me mjedisin në të cilin jetojmë. Dëmet mjedisore ndërhyjnë në realizimin e të drejtave të njeriut. Kurse ushtrimi i të drejtave nga ana jonë ndihmon në mbrojtjen e mjedisit dhe promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik. Lidhur me këtë secili ka të drejtën të jetojë në një mjedis të shëndetshëm, të pastër dhe të sigurt.

E drejta për mbrojtjen e mjedisit bën pjesë në të ashtuquajturën gjeneratë e tretë e të drejtave të njeriut (të drejtat kolektive), krahas gjeneratës së parë (të drejtat dhe liritë civile dhe politike), dhe gjeneratës së dytë (të drejtat sociale, ekonomike dhe kulturore) të cilat sot po gëzojnë një vëmendje të veçantë në veprimtarinë e organizatave të ndryshme ndërkombëtare.

Kërcënimeve globale të mjedisit, si ndryshimi i klimës dhe cilësia e dobët e ajrit është e domosdoshme të iu përgjigjen institucionet shtetërore, për të mbrojtur shëndetin e njeriut dhe mjedisit. Përdorimi i burimeve të parigjenerueshme, të tilla si lëndët djegëse fosile nuk duhet të ndalen brenda natës, por ato duhet të përdoren në mënyrë efikase dhe zhvillimi i alternativave duhet të inkurajohet për të ndihmuar ato.

Gjithkush ka të drejtë për një standard të mirë jetesë, me mundësi të punës më të mirë. Prosperiteti ekonomik është i nevojshëm, me qellim që të përparojnë bizneset dhe të rritet standardi i jetesës, por kjo duhet bërë duke ofruar një standard më të lartë edhe të aspektit ekologjik. Kur njerëzit duhet të luftojnë për të siguruar nevojat themelore të jetës, të drejtat mjedisore mund t’u duken të pakuptimta. Por, kur mjedisi rrezikohet, kontaminohet dhe dëmtohet në masën që kërcënon jetën, shëndetin, ushqimin, ai gjithashtu bëhet një kërcënim për të drejtat e njeriut.  

Shtetet kanë miratuar akte të shumta juridike lidhur me ruajtjen e mjedisit. Meqenëse legjislacioni mjedisor synon mbrojtjen e mjedisit, në vlerësimin e pranueshmërisë së një ndikimi mjedisor, duhet mbajtur mend se qëllimi i legjislacionit mjedisor nuk është vetëm ruajtja e cilësive fizike, kimike dhe biologjike të mjedisit natyror, por edhe mbrojtja e mjedisit fizik, mendor dhe material të të drejtave dhe interesave të individëve. Shqetësimi mjedisor përfshin gjithashtu efektin negativ që megjithëse jo në vetvete dëmton shëndetin e njeriut, por shkakton shqetësime të konsiderueshme fizike ose mendore, të drejtpërdrejta ose të tërthorta. Një shembull do të ishte zhurma që buron nga industritë ose era e keqe që buron nga mbeturinat e pambledhura dhe patrajtuara siç kërkohet me standarde.

Mbrojtja e mjedisit dhe të drejtat e njeriut janë të lidhura në mënyrë të pandashme. Në Kushtetutën e Kosovës thuhet se rendi kushtetues i Kosovës bazohet, ndër të tjera, në parimet e mbrojtjes së mjedisit, për më shumë mbrojtja e mjedisit konsiderohet si përgjegjësi e të gjithëve dhe kërkon që institucionet publike të marrin parasysh ndikimet mjedisore në vendimet e tyre. Aktet juridike të Kosovës përfshijnë gjithashtu instrumente dhe standarde ndërkombëtare për të ruajtur ajrin, tokën dhe ujërat. Kurse Kodi Penal i Republikës së Kosovës përcakton veprat penale dhe sanksionet për dëmtimin e mjedisit.

Përkundër që ekziston korniza ligjore, ndërgjegjësimi për mbrojtjen e mjedisit është në nivele të ulëta, por edhe e drejta mjedisore në Kosovë është shumë pak e zhvilluar. Synimi dhe qëllimi i institucioneve që merren me mbrojtjen e mjedisit duhet të jetë edhe përmirësimi i edukimit, informimit dhe ndërgjegjësimit për ruajtjen e mjedisit dhe realizimin e të drejtave qytetare në këtë fushë. Edukimi, informimi dhe ndërgjegjësimi përmes njoftimit me legjislacionin mjedisor, dhe masat që mund të merren ndaj atyre që dëmtojnë mjedisin do të kishte efekt edhe të vet ndërgjegjësimit për sjelljen e individit ndaj mjedisit.

Andaj, krahas infrastrukturës ligjore, promovimit të të drejtave mjedisore përmes kampanjave për ndërgjegjësim, institucionet qendrore dhe lokale duhet të marrin masat për krijimin e kushteve teknike dhe administrative me qëllim të zbatimit të legjislacionit mjedisor.

(Autori i ka përfunduar studimet Master në Estonian University of Life Science në Tartu-Estoni, në Menaxhim dhe Legjislacion Mjedisor).

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img