Skënder Gojani, avokat i Granit Plavës, i cili sipas gjykatës “ekziston dyshimi i bazuar mirë” se është dorasi i vrasjes së Liridona Ademajt, i tha Gazetës Express se nuk është njoftuar për ndonjë tentim-sulm ndaj klientit të tij në Burgun e Sigurisë së Lartë.
“Nuk kemi pasë asnjë njoftim”, tha ai.
I pyetur për kontaktin e fundit me klientin e tij, avokati nuk deshi të flasë.
“Dëgjo, kaq mund të të jap informata. Respekt për punën që e bëni”, tha Gojani.
Shërbimi Korrektues ka njoftuar se disa të burgosur kanë tentuar ta sulmojnë Granit Plavën, por që pas ndërhyrjes së stafit të burgut, është parandaluar përleshja.
SHKK tha se është themeluar një komision hetimor “për t’i sqaruar të gjitha rrethanat” lidhur me incidentet e sotme në Brugun e Sigurisë së Lartë, atje ku po mbahen Naim Murseli, Granit Plava e Kushtrim Kokalla, të akuzuar për vrasjen e Liridona Ademajt. Ata, SHKK thotë se “janë të shpërndarë në tri qendra korrektuese”.