Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, e ka cilësuar vitin 2018 si një vit të mbarë për shëndetësinë kosovare. Por, ai ka folur edhe për sfidat që i ka pasur gjatë këtij viti. Ndër të arriturat, Ismaili ka përmendur luftimin e korrupsionit brenda këtij sektori.
Ndonëse, sipas tij, sektori shëndetësor është me shumë probleme dhe fillimisht është parë si fushë që ishte gati e pamundur për t’i lëvizur gjërat pozitivisht, ai ka thënë se janë shënuar suksese.
“Ndër arritjet më të mëdha ka qenë lufta kundër korrupsionit në sektorin farmaceutik, ku është ndaluar blerja e barnave me çmime të fryra. Kjo ka rezultuar me veprime të suksesshme dhe janë kursyer për një vit 6 milionë euro”, ka thënë Ismaili.
Një tjetër arritje, sipas tij, ishte heqja e listës së pritjes për stentime në Klinikën e Kardiologjisë dhe Kardiokirurgjisë.
“Aty është punuar me orar të shkurtuar dhe tash është bërë shërbimi 24 orësh, duke i përmbushur nevojat e pacientëve. Nëse një pacient ka pësuar infarkt në zemër pas orarit të punës së mjekëve , pacientët janë detyruar këtë shërbim ta marrin në klinika private, e kjo ka bërë që të shpenzohet buxheti familjar”, ka thënë Ismaili.
Sektori i shëndetësisë, sipas ministrit Ismaili, është ringjallur që kur ai e ka marrë mandatin e ministrit të Shëndetësisë, dhe tashmë, sipas tij, po shihet një optimizëm te profesionistët shëndetësorë dhe pacientët.
“Mendoj se është një arritje e madhe që të zgjohet nga depresioni i gjithë sistemi, për shkak të keqmenaxhimit që ka pasur dhe tash është fillimi i një rrugëtimi të mirë, e që bashkërisht do të arrihet”, është shprehur Ismaili.
Ndonëse e ka lavdëruar punën që ka bërë në sektorin e shëndetësisë, ministri Ismaili ka përmendur edhe sfidat me të cilat u ballafaqua.
“Mendoj se sfidë ka qenë sigurimi shëndetësor. Kemi arritur të zgjidhet bordi, fondi i sigurimeve të funksionalizohet, kemi marrë 5 ekspertë nga Banka Botërore. Nuk është e lehtë, është përpjekje e vështirë pasi që është folur shumë, por nuk është punuar në këtë drejtim. Por, gjithë ekipi jemi të vetëdijshëm që është sfidë që duhet ta përmbushim. Mendoj që ka gjasa që në vitin 2019 qytetarët do ta kenë sigurimin shëndetësor”, ka theksuar Ismaili.
Por, ndryshe nga ministri, e shohin sektorin e shëndetësisë në Federatën Sindikale të Shëndetësisë.
Blerim Syla, kryetar i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se puna që është bërë në sektorin e shëndetësisë, nuk është për lëvdatë. Ai i ka quajtur më shumë investime kozmetike gjithë ato që janë bërë gjatë vitit 2018 në këtë sektor, sesa që është vërejtur ndonjë lëvizje e prekshme pozitive.
“Ka pasur disa iniciativa, por a rregullohet shëndetësia me kaq pak punë?! Unë po them që jo. Them se është më shumë një kozmetikë që është përdorur për fushata të ndryshme. Sa i përket çështjes së furnizimit me barna, ka kaluar më shumë se një vit prej kur e ka marrë mandatin ministri, dhe furnizimi me barna nuk është përmbushur në tërësi, dhe tashmë po thirren në revidimin e listës esenciale, e cila nuk është askund”, ka thënë Syla.
Edhe sa i përket infrastrukturës ligjore, është shprehur Syla, ka ngecje, dhe çka është më e keqja, sipas tij,premtimet që janë dhënë për rritjen e mirëqenies sociale për punëtorët shëndetësorë nga ana e ministrit dhe Qeverisë, nuk janë as afër realizimit.
“Derisa sa i përket rritjes së buxhetit prej 30 milionë eurosh, nuk është e mjaftueshme, sidomos nëse krahasohet me Ministrinë e Infrastrukturës ku është rritur buxheti për 300 milionë euro, pra nuk mund të mburremi se ka qenë prioritet shëndetësia. Dhe, lirisht mund të them se nuk ka pasur ndonjë sukses të prekshëm”, ka deklaruar Syla.
Qendra Klinike Universitare e Kosovës dhe Ministria e Shëndetësisë, vetëm këtë vit, kanë shpenzuar 3.5 milionë euro për pajisje të reja mjekësore.
Para se të bëhej ky investim, shumë intervenime kirurgjike nuk kanë mundur të kryhen brenda spitaleve publike.