Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës të martën kanë zhvilluar një aksion në dymbëdhjetë lokacione, ku janë arrestuar dhjetë persona, të cilët dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, marrje të ryshfetit, ushtrim të ndikimit dhe ndotje e degradim të mjedisit.
Policia në raportin 24 orësh ka bërë të ditur se aksioni është zhvilluar në Brezovicë, Shtëprcë, Ferizaj dhe Prishtinë.
“Brezovicë, Shtërpcë, Ferizaj dhe Prishtinë 21.12.2021 – 06:00. Gjatë një operacioni policor janë arrestuar dhjetë të dyshuar meshkuj kosovar, nën dyshimin e bazuar se të njëjtit kanë kryer veprat e lartcekura. Me urdhëresë të gjykatës janë kontrolluar 12 lokacione të ndryshme”, ka bërë të ditur policia.
Gjatë këtij aksioni, policia ka gjetur dhe konfiskuar para, armë, municion, vetura, aparat për prodhimin e kriptovalutave dhe pajisje të ndryshme elektronike.
Me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.
“Gjatë bastisjes janë konfiskuar: një sasi e konsiderueshme para të valutave të ndryshme, armë të ndryshme, një sasi e municionit, vetura, aparat për prodhimin e kripto valutave si dhe pajisje të ndryshme elektronike. Me vendim të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë”, ka bërë të ditur policia.
Ndryshe, gjatë aksionit të djeshëm është arrestuar edhe ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës, Bratisllav Nikolliq,i cili dyshohet se ka përfituar deri në 1 milion euro për lejet e lëshuara kundërligjshëm për ndërtimin e objekteve në Brezovicë, në Komunën e Shtërpcës.