Site icon PrishtinaPress

TATIMI NË PRONË| Banorët e Marigona Hill do të paguajnë më lirë se banorët e Zllatarit dhe Matiqanit (Dokument)

Qeveria e Kosovës ka vendosur t’ua rëndojë edhe më shumë jetën qytetarëve. Ditëve të fundit janë shfaqur pakënaqësi të shumta në opinion pasi që faturat e tatimit në pronë janë rritur dukshëm në krahasim me vitin e kaluar.

Fillimisht pati paqartësi se kush kishte vendosur për rritjen e këtij tatimi, mirëpo Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) përmes një reagimi ka sqaruar se komunat nuk e kanë rritur çmimin e tatimit në pronë. AKK-ja ka thënë se komunat nuk e kanë rritur normën tatimore, por sipas tyre, është bërë rivlerësimi i pronave nga Ministria e Financave dhe me këtë rast është rritur vlera e pronave bazuar në çmimet e tregut. “Pra, çmimi i faturës së tatimit në pronë llogaritet me shumëzimin e vlerës së pronës me normën tatimore. Kështu, me rritjen e çmimit të pronave, pa u rritur fare norma tatimore nga komunat, është rritur automatikisht vlera e faturës së tatimit në pronë”, thuhej në reagimin e AKK-së. Sipas AKK-së, ajo se çka varet nga komunat nuk ka ndryshime, ndërsa kanë kërkuar që të procedohet sa më shpejtë në Kuvend, Ligji i ri i tatimit në pronë.

Demokracia.com ka siguruar raportin e vlerësimit të përgjithshëm të pronave rezidenciale të Komunës së Prishtinës.

Sipas këtij dokumenti, del se vlerësimi i pronave në Prishtinë është bërë nga Ministria e Financave, e jo nga komuna e Prishtinës dhe komunat tjera.

Në vendimin e protokolluar më 31 tetor të vitit të kaluar, i cili i është dërguar kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, specifikohet ndryshimi i vlerësimit të pronës.

Demokracia.com po ashtu sjell ekskluzivisht raportin e vlerës së tatimit në pronë për secilën lagje të Prishtinës si qytet dhe rrethinës.

Bazuar në këtë raport, niveli i vlerësimit të tokës rezidenciale në Prishtinës është bërë sipas “Numrit të Zonës së Vlerës”. Zona kryesore në Prishtinë është vlerësuar Qendra dhe Pejtoni me tatim prej 1000 eurosh për shtëpi familjare dhe 1600 euro për apartamente. Banorët e këtyre dy zonave për garazhe do të paguajnë 400 euro tatim në vit, 1500 euro për parcelë për shtëpi familjare, 1500 euro parcelë për objekt apartamentesh e po aq për parcelë për objekt tjetër rezidencial.

Zona e dytë me tatimin më të lartë është Ulpiana, e pasuar nga Dardania dhe Lakrishta. Lagjja e Muhaxherëve po ashtu renditet lartë, përcjellë nga Rruga B, Muharrem Fejza dhe Royall Mall. Në fund të listës për tatime me të ulëta janë Hajvalia, lagjja luksoze “Marigona”, pastaj Kolovica e Vreshtat dhe krejt në fund renditet Kodra e Trimave.

Sipas këtij raporti, lagjja luksoze “Marigona Hill” është vlerësuar më ulët krahasuar me vitin 2019. Niveli i vlerës për një apartament në vitin 2019 ka qenë 425 euro për metër katror, kurse tash është 400 euro.

Exit mobile version