2 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Buy now

spot_img

Tash një vit nga Marrëveshja e Ohrit – Kjo ishte kërkesa e Borrellit për Kosovën dhe Serbinë

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka thënë të dielën se tani është koha që Kosova dhe Serbia t’i japin fund krizës dhe tensioneve dhe të ecin përpara në një “epokë të re evropiane” duke e zbatuar marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve fqinjësore.

Borrell tha më 17 mars, një ditë para njëvjetorit të arritjes së Marrëveshjes së Ohrit mes Kosovës dhe Serbisë se “është për të ardhur keq që, përkundër përpjekjeve gjithëpërfshirëse nga BE-ja dhe nga bashkësia ndërkombëtare, deri tani Kosova dhe Serbia kanë shënuar përparim shumë të kufizuar në zbatimin e obligimeve që i pranuan sipas kësaj marrëveshjeje”.

Më 27 shkurt 2023 në Bruksel, Kosova dhe Serbia kishin arritur Marrëveshjen Bazë, ndërkaq më 18 mars në Ohër, u arrit pajtimi për Aneksin e zbatimit të marrëveshjes.

Marrëveshja prej 11 nenesh, ndër tjerash parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.

Brukseli ka akuzuar të dyja palët për moszbatim të marrëveshjes.

Shefi i diplomacisë evropiane tha se pret nga liderët e Kosovës dhe Serbisë të tregojnë “përgjegjësi, vizion dhe lidership duke shënuar përparim në zbatimin e marrëveshjes pa vonesa”.

Zyrtarë të lartë të Kosovës dhe Serbisë kanë shprehur vazhdimisht qëndrime që lënë të kuptohet se nuk janë të gatshëm t’i përmbahen marrëveshjes.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, këmbëngul në nënshkrimin e marrëveshjes, pasi, siç konsideron ai, kjo do të ishte garanci që edhe Serbia do t’i përmbushte obligimet e saj.

Në mes të janarit të këtij viti, ai tha po ashtu se Asociacioni i komunave me shumicë serbe “nuk është prioritet” për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe se nuk duhet veçuar.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha më herët se nuk do të nënshkruajë asnjë marrëveshje që do të nënkuptonte njohjen e Kosovës apo anëtarësimin e saj në Kombet e Bashkuara.

Më 14 dhjetor, kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, dorëzoi një letër zyrtare në selinë e Bashkimit Evropian, duke shprehur rezerva për detyrimet që dalin nga marrëveshja dhe aneksi për zbatimin e saj.

Borrell tha se në kohë të “luftërave të papara në kontinentin tonë”, arritja e një marrëveshjeje që premton paqe, stabilitet dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore “ishte arritje historike”.

Ai i paralajmëroi si Kosovën, ashtu edhe Serbinë, se e ardhmja e tyre evropiane varet nga zbatimi i kësaj marrëveshjeje dhe se ajo është detyrim për to në përputhje me ligjin ndërkombëtar.

“Mungesa e zbatimit, jo vetëm që ua rrezikon palëve integrimin evropian, por edhe ua dëmton reputacionin si partnerë të besueshëm”, tha ai.

Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë rritur prej 1 shkurtit, kur nisi të zbatohet një rregullore e Bankës Qendrore të Kosovës që parasheh euron si valutën e vetme për kryerjen e pagesave me para të gatshme, duke ndaluar dinarin serb.

BE-ja ka njoftuar se më 19 mars në Bruksel, në nivel të kryenegociatorëve, Kosova dhe Serbia do të diskutojnë për çështjen e dinarit.

Blloku evropian, por edhe Shtetet e Bashkuara, kanë kritikuar vendimin për dinarin, duke thënë se ai është marrë pa konsultime paraprake dhe pa marrë për bazë ndikimet negative që ka te komuniteti serb.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img