Site icon PrishtinaPress

Tarifat ndaj Kinës, Apple do të investojë 500 miliardë dollarë në SHBA

Gjigandi i teknologjisë, Apple njoftoi planet për investime në ekonominë amerikane që kapin shifrën e 500 miliardë dollarëve gjatë katër viteve të ardhshme. Investimi, që do të krijojë 20,000 vende të reja pune, sugjeron mbështetjen e kompanisë për politikat e qeverisë amerikane për punësimin dhe investimet në vend. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Michelle Quinn nga qyteti Los Anxhelos, Presidenti Donald Trump ka thënë se do të dyfishojë tarifat e importeve nga Kina, vend ku prodhohen shumica e produkteve të kompanisë Apple.

Kompania Apple prodhon në Kinë shumicën e modeleve të Iphone-it dhe produkteve të tjera. Por gjatë viteve të fundit, kompania Apple i ka zgjeruar operacionet në vende si India dhe Vietnami. Por jo aq shumë në Shtetet e Bashkuara.

Prirja po ndryshon. Gjigandi Apple njoftoi se gjatë katër viteve të ardhshme do të investojë 500 miliardë dollarë në Shtetet e Bashkuara. Planet përfshijnë ndërtimin e një qendre për prodhimin e pajisjeve për inteligjencën artificiale dhe angazhimin për krijimin e 20,000 vendeve pune.

Njoftimi vjen pas takimit të shefit të kompanisë Apple, Tim Cook me Presidentin Donald Trump. Apple është mes firmave amerikane që kanë njoftuar kohët e fundit investime në vend dhe krijimin e vendeve të reja të punës.

“Ato (kompanitë) do të ndërtojnë këtu sepse nuk duan të paguajnë tarifa”, tha Presidenti Trump.

Në një postim në mediat sociale, Presidenti Trump njoftoi se dyfishimi i tarifës universale prej 10% për Kinën, do të futet në fuqi të martën.

Analistët thonë se njoftimi i kompanisë Apple është pjesë e prirjeve të saj për të patur një shtrirje më të gjerë të zinxhirëve të furnizimit dhe nuk ka lidhje me tarifat ndaj Kinës.

Zëri i Amerikës bisedoi me analistin Bill Reinsch të Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.

“Prej disa vitesh kanë qenë në procesin e largimit të prodhimit të pajisjeve në Kinë, gjithsesi para tarifës. Aktualisht në Kinë prodhohet një sasi e konsiderueshme pajisjesh. Por Apple ka një prirje të qartë dhe mendoj se kjo tendencë do të vazhdojë”.

Veprimi i fundit i firmës Apple sinjalizon mbështetjen ndaj politikave amerikane për investime dhe vende të reja pune, një përparësi e Presidentit Trump.

“Thjesht po e shfrytëzojnë njoftimin për një ekspozim më të gjerë publik për shumë shpenzime që aktualisht po ndodhin dhe që përputhen mjaft mirë me politikën amerikane”, thotë Ben Bajarin me firmën “Creative Strategies”.

Si pjesë e investimeve në Shtetet e Bashkuara, firma Apple tha se do të prodhonte disa pjesë të avancuara kompjuterike në fabrikën tajvaneze në Arizona, TSMC. /VOA

Exit mobile version