Sot drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, i shoqëruar nga menaxhmenti i lartë i PK-së ka mbajtur një takim pune me drejtorët rajonal të drejtorive rajonale policore si dhe me divizionin e trafikut.
Në këtë takim u diskutua për tema të ndryshme që prekin fushën e sigurisë, ndër të tjera për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, parandalimin e veprimtarive kriminale dhe uljen e trendit të krimit, sigurinë në trafik, parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e prezencës policore.
Gjatë këtij takimi u vlerësua se Plani Operativ ‘Goditja’ ka treguar dhe dhënë rezultate pozitive në fusha të ndryshme, ku u vlerësua që të vazhdohet edhe me plane konkrete në të ardhmen me qëllim të arritjes së objektivave strategjike dhe operative të PK-së.
Me qëllim të arritjes se rezultateve pozitive në vazhdimësi në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, parandalimin e veprimtarive kriminale dhe uljen e trendit të krimit, sigurinë në trafik, parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e prezencës policore është hartuar Urdhri Operativ ‘Targeti’, i cili pritet të hyj në implementim e përmes së cilit parashihen veprime konkrete policore në të gjitha nivelet dhe rajonet policore.
Drejtori i Policisë ofroi mbështetjen e tij për pjesëtaret e PK-së, respektivisht drejtorët kompetentë në adresimin e çështjeve të rëndësishme me qëllim të arritjes së objektivave si dhe kërkoi angazhim maksimal nga të gjithë punonjësit e PK-së në kryerjen e detyrave dhe avancimin e mëtejmë të punës policore në shërbim të qytetarëve të vendit.