Site icon PrishtinaPress

Talat Xhaferi dorëzon propozimin e plotë për qeveri teknike, nesër mbahet seanca

Mandatari Talat Xhaferi në Kuvend e ka dorëzuar Programin dhe Propozimin për përbërjen e Qeverisë teknike, ndërsa kryeparlamentari Jovan Mitreski seancën për zgjedhjen e Qeverisë së re e ka caktuar për nesër (28 janar, e diel) në ora 11:00.

Në Programin e Qeverisë, mandatari Xhaferi thekson se prioritet i kësaj Qeverie do të jetë organizimi i suksesshëm i zgjedhjeve të lira, të ndershme dhe demokratike më 24 prill dhe 8 maj, vazhdimi i të gjitha proceseve që rezultojnë nga negociatat e nisura për anëtarësim me BE dhe integrimi i përshpejtuar evropian, rritja dhe zhvillimi i ekonomisë, rritje e standardit të jetesës duke rritur pagat dhe pensionet minimale dhe mesatare në 2024, uljen e inflacionit dhe ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe punësimit, mbështetje direkte për qytetarët dhe kompanitë në 2024 , shteti ligjor, lufta kundër krimit dhe korrupsionit, rend dhe rregull i plotë i shtetit, vazhdimi i proceseve reformuese në të gjitha nivelet shtetërore.

Për këtë qëllim, Qeveria, bazuar në dialogun e gjerë ndërpartiak, do të mundësojë zbatimin me efikasitet të rekomandimeve të OSBE/ODIHR dhe organizatave të tjera ndërkombëtare për të mundësuar standardet më të larta evropiane në procesin e fushatës zgjedhore dhe vetë zgjedhjet, gjegjësisht të zhvillohen zgjedhje me ligjshmëri të plotë, legjitimitet dhe pranim konsensual të vullnetit elektoral të qytetarëve”, thuhet në programin e mandatarit Xhaferi.

Në propozimit, përbërja e qeverisë teknike do të jetë: zëvendëskryeministër i parë i qeverisë dhe zëvendëskryeministër për çështje evropiane do të jetë Bojan Mariçiq, ndërsa Artan Grubi – ministër i sistemit politik dhe marrëdhënieve ndërmjet komuniteteve.

Me propozim të OBRM-PDUKM-së, për pozitën e ministrit të Punëve të Brendshme është propozuar Pançe Toshkovski, si dhe propozimi i Gjoko Velkovskit për pozitën e ministrit të Punës dhe Politikës Sociale.

Në pozitat aktuale do të qëndrojnë ministrat Krenar Lloga – Ministër i Drejtësisë, Bujar Osmani – Ministër i Punëve të Jashtme, Fatmir Besimi – Ministër i Financave, Kreshnik Bekteshi – Ministër i Ekonomisë, Ljupço Nikollovski – Ministër i Bujqësisë, Pylltarisë, Fatmir Mexhiti – Ministër i Shëndetësisë, Jeton Shaqiri – Ministër i Arsimit, Risto Penov – Ministër i Vetëqeverisjes Lokale, Bisera Kostadinovska Stojçevska – Ministre e Kulturës, Azir Aliu – Ministër i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Bllagoj Boçvarski – Ministër i Transportit dhe Lidhjeve, Kaja Shukova – Ministri i Mjedisit dhe Fatmir Bytyqi, ministër pa resor i ngarkuar për çështjet ekonomike dhe Sllavica Grkovska, ministër pa resor përgjegjës për politikat e qeverisjes së mirë./Telegrafi

Exit mobile version