Site icon PrishtinaPress

Taksa e Kosovës po vë në pikëpyetje kredibilitetin e Shtëpisë së Bardhë

Një zyrtar i qeverisë amerikane ka thënë të hënën, se administrata e presidentit Trump nuk përjashton mundësinë që në negociatat Kosovë-Serbi të diskutohet edhe për kufirin.

Por, burimi që deshi të mbetet anonim, tha se qeveria në Washington nuk po bën presion për diçka të tillë, e as po e mbështet aktualisht një korrigjim të tyre, pasi, sipas tij, u mbetet të dyja shteteve të pavarura ta gjejnë një marrëveshje finale që i konvenon njërës dhe tjetrës.

“Ne nuk kemi vija të kuqe, por as nuk pranojmë në mënyrë blanko, gjithçka për çfarë ata mund të merren vesh e pajtohen”, tha zyrtari në fjalë, në një bashkëbisedim me Klan Kosova, për të shtuar se “nuk duhet të ketë frikë për të diskutuar” edhe për përmirësim apo korrektim të kufirit, ose “border adjustment”, siç e quajti ai në anglisht.

Madje, ky zyrtar tha se shteti i tij nuk e garanton askë se në bisedimet Kosovë-Serbi nuk do të diskutohet për kufijtë.

“Askush nuk do të marrë garanci të tilla”, tha ai.

I njëjti shtoi se për të mbërritur në pikën ku palët mund të diskutojnë për atë se si mund të jenë marrëveshja finale, duhet të kryhet diçka, e që sipas tij, aktualisht është më e zorshme – pezullimi i taksës së vënë nga qeveria e Kosovës për mallrat e prodhuara në Serbi e Bosnjë.

“Ne nuk e kemi ndërmend të lëshojmë ndonjë ultimatum…por ne nuk kemi durim deri në infinit”, tha ai, duke shtuar se nuk ka një “deadline” se kur duhet të ndodh kjo dhe se në këtë rast është në pyetje edhe kredibiliteti i Shtëpisë së Bardhë.

“Taksa duhet të hiqet dhe sa më parë të ndodh kjo, aq më mirë është”.

Zyrtari i qeverisë amerikane foli edhe për atë nëse do të ketë sanksione, në rast se nuk ka një reagim të shpejtë të qeverisë.

“Ne nuk kërcënojmë se do të largohet KFOR-i, nëse nuk pezullohet taksa”, tha ai.

“Por, nuk duhet të ketë aq siguri të madhe se tërheqja nuk do të ndodh… Njerëzit duhet ta dinë që situata nuk mund të qëndrojë kështu, përgjithmonë”.

Ky zyrtar tha se aktualisht në Kosovë ka dy narrativa, kundërthënëse mes vete, në lidhje me raportet me Amerikën.

E para, sipas tij, është ajo se këto marrëdhënie janë katastrofike dhe në “në rënie të lirë”, ndërsa e dyta se “ato janë më të forta se kurrë”.

Sipas tij, të dyja këto narrativa janë të thjeshtëzuara. Ai, partneritetin aktual mes dy vendeve e krahasoi me një martesë, në të cilën, sipas tij, partnerët kanë obligime që duhet t’i përmbushin ndaj njëri-tjetrit dhe se ata duhet të angazhohen shumë për ta mbajtur lidhjen.

Ky zyrtar ka thënë se Washingtoni e refuzon përfshirën e Rusisë në dialogun Kosovë-Serbi, që aktualisht po ndërmjetësohet nga BE-ja.

“Rusia do të ishte një faktor i panevojshëm që komplikon gjërat”, tha ai.

I njëjti ka bërë thirrje që për gjithçka që ndodh në dialog, duhet të konsultohet edhe opozita. Por, për këtë të fundit pati porosi, duke thënë se “nuk bën të qëndrojë anash e vetëm të kritikojë”.

Përfaqësuesi i Shtëpisë së Bardhë ka thënë se marrëveshja finale parasheh që të dyja shtetet ta njohin në mënyrë të ndërsjellë njëra-tjetrën dhe se me këtë akord, sipas tij, Kosova pranohet në OKB.

I pyetur për urgjencën e arritjes së pajtimit mes dy shteteve, i njëjti ka thënë se nuk ka një deadline për të, pos që është thënë se ajo duhet të arrihet më 2019. Megjithatë, ai tha se është dinamizuar procesi.

“Administrata Trump në këtë aspekt është më e angazhuar se administratat tjera”, tha ai.

“Ne po i shohim konfliktet e ngrira, njëra pas tjetrës dhe po pyesin: Pse ky konflikt është i ngrirë – hajde ta zgjidhim”.

Exit mobile version