Site icon PrishtinaPress

Taksa 10% shkelë marrëveshjen e CEFTA-s, rrezikohet rritja e çmimit dhe inflacioni ekonomik

Vetëm pak ditë pasi që Qeveria e Kosovës mori vendim për vendosjen e taksës prej 10% për produktet që importohen nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, në Doganën e Kosovës ka nisur zbatimi i kësaj marrëveshje.

Këtë e pati konfirmuar vetëm një ditë pas marrjes së këtij vendimi të qeverisë edhe Dogana.

Një vendim të tillë po e konsideron shumë të duhur dhe me vend edhe analisti politik, Azem Vllasi.

Në një prononcim për Indeksonline ai thotë se ky vendim është shumë i qëlluar, pasi që Serbia fitimet nga tregu kosovar po i përdor për të zhvilluar një propagandë shumë armiqësore ndaj saj.

“Vendimi i Qeverisë së Kosovës për një lloj sanksioni ekonomik ndaj Serbisë është me vend. Serbisë nuk i intereson asgjë pra as normalizimi definitiv dhe një marrëveshje definitive me Kosovën me të cilën do ta pranonte Kosovën si shtet. Serbisë i intereson vetëm tregu i Kosovës për të shitur mallra dhe me fitimin që realizon në tregun e Kosovës, ajo në fakt zhvillon një propagandë armiqësore kundër Kosovës”, ka thënë Vllasi.

Sipas tij, një vendim i tillë nuk është dashur të merrej edhe për Bosnje dhe Hercegovinën për shkak të reagimeve të mundshme nga Brukseli.

“Kosova ka drejt që të ta caktojë këtë taks, por ndoshta nuk ish dashtë që në këtë taks të përfshihet edhe Bosnja dhe Hercegovina sepse në këtë mënyrë mund të shkaktohet një reagim më i ashpër nga Brukseli por nëse duhet me kohë kjo masë ndaj Bosnjës dhe Hercegovinës mund të ndryshon pak”, ka thënë ai.

Vllasi ka theksuar se po të vije reagim nga Brukseli kundër kësaj mase ndaj Serbisë, institucionet e Kosovës duhet të kërkojnë që në shkëmbim të ndalet fushata armiqësore që po zhvillohet nga Serbia kundër shtetit të Kosovës.

“Nëse vijnë reagime nga Evropa, nga Brukseli atëherë nga atyre reagimeve Kosova duhet të përgjigjet me qëndrim, që le të urdhnon Brukseli që ta ndalon këtë fushatë armiqësore kundër Kosovës gjithandej nëpër botë, atëherë ne mund të bisedojmë për ndryshimin apo zbutjen e kësaj mase”, ka thënë Vllasi.

Edhe Drejtori i organizatës “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku, e ka konsideruar si vendim të qëlluar, ani pse i marr me vonesë. Sipas tij, çmimet nuk janë i vetmi problem në lidhje me produktet serbe që hynë në Kosovës, por njëri nga problemet është edhe pasiguria lidhur me cilësinë e këtyre produkteve.

“Konform kësaj shumica e prodhimeve eksportohen në Kosovë si “distribuim ” e jo si eksport. Kjo do të thotë se importuesi, distributori, shitësit – marketet…edhe qytetari konsumator, e “pranojmë ” deklarimin e Serbisë nëpërmes produkteve të saja – se Kosova “është pjesë e Serbisë”?! Por, ekspertët e ekonomisë e vlerësojnë si një hapë të ngutshëm dhe politik të Qeverisë”, ka thënë Kaçaniku.

Sipas tij, një vendim i tillë pjesërisht mund të rrisë interesimin e konsumatorëve për produktet vendore.

“Mendoj se ky veprim pjesërisht do të rrisë interesimin për produktet vendore. Kjo për arsye se, kam frikë se taksa do të na kthehet si bumerang. Diferencën në çmim do ta grabisin bizneset, njësoj siç e grabitën/e plaçkiten TVSH-në e ulur nga Qeveria e kaluar në të mirë të qytetarit konsumator taksapagues”, ka thënë Kaçaniku.

Ndryshe nga këto deklarime, ekspertët e ekonomisë një vendim të tillë e vlerësojnë si një hapë të ngutshëm dhe politik të Qeverisë.

Marrja e këtij vendimi po konsiderohet është shkelje e marrëveshjes së CEFTA-as , pjesë e së cilës është edhe Kosova. Në bazë të kësaj marrëveshjes, përkatësisht neni 5 për tarifat doganore mbi importet, thuhet se asnjë tarifë e re doganore mbi importet nuk duhet të vendoset.

Kjo pasi, sipas ekonomistëve, më mirë është tërheqja nga kjo marrëveshje, prej se cilës Kosova nuk ka përfituar sesa shkelja e saj.

“Asnjë tarifë e re doganore mbi importet, detyrime me efekt të njëjtë dhe asnjë tarifë importi e një natyre fiskale nuk do të vendosen, dhe as ato që zbatohen nuk do të rriten në tregtinë ndërmjet palëve që nga dita e parë e nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje”, thuhet në këtë marrëveshje.

Njohësi i këtyre çështjeve, Lulzim Beqiri për Indeksonline thotë se mënyra e vetme e Kosovës për të mos tërhequr vendimin për taksën prej 10 për qind ndaj produkteve serbe është largimi nga kjo marrëveshje.

“Mënyra e vetme e Kosovës për të mos tërhequr vendimin për taksen prej 10 % për produktet serbe është largimi i Kosovës nga marrëveshja e CEFTA-së, e pastaj me bë tarifa ndaj Serbisë. Me këtë vendim, Qeveria ka shkel parimet e CEFTA-së”, ka thënë Beqiri.

Sipas tij, pasojat e këtij vendimi janë rritja e çmimeve dhe inflacionit ekonomik.

“Pasojat ekonomike të tarifës janë rritja e çmimeve dhe për pasojë mund të kemi inflacion sepse pjesa më e madhe e produkteve vinë nga Serbia”, ka shtuar Beqiri.

Kujtojmë se ndaj këtij vendimi reagoi edhe Bashkimi Evropian, duke kërkuar shpjegim nga Qeveria për marrjen e vendimit të tillë. Sipas tyre, kjo shkelë marrëveshjet e Stabilizim Asociimit.

Ndryshe, për këtë vendim ka reaguar edhe Lista Serbe, duke thënë se pas këtij vendimi do ta mbështesin çdo nismë për rrëzimin e Qeverisë.

Exit mobile version