Jeton Zulfaj, këshilltar i kryeministrit Albin Kurti, beson se “partnerët e miqtë ndërkombëtarë” po shohin jashtë Qeverisë së Kosovës “potencial për kompromise e koncesione ndaj Serbisë”.
Ai e shpjegon kështu faktin që, siç thotë ai, në Kosovë ka më shumë presion për themelimin e Asociacionit sesa në Serbi për njohjen e pavarësisë së Kosovës.
“Pse ka më shumë presion në Kosovë për Asociacionin se sa në Serbi për njohjen e pavarësisë së Kosovës?”, pyet Zulfaj dhe shtron disa hipoteza më poshtë.
Ai thotë se Qeveria ka mbetur në pozicionin kundër Asociacionit.
“Rrjedhimisht, kur partnerët e miqtë tanë shkojnë në Serbi edhe flasin për Kosovën, Vuçiç ju duket me i hapuri, duke qenë radikali më i butë në mesin e ultra radikalëve”, thotë ai.
Në Kosovë, ndërkaq, Zulfaj thotë se ndërkombëtarët ndeshen me kundërshtimin e Kurtit.
“Në Kosovë shohin potencial për kompromise e koncesione ndaj Serbisë më shumë jashtë qeverisë se sa në Serbi”, shkruan ai.
I dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ka thënë se Asociacioni duhet të themelohet dhe se këtë nuk mund ta ndalë një parti apo një individ. Për këtë, ai ka thirrur një takim më 31 janar.
Së fundmi, Kurti tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se ka pritur që Escobar do të kërkonte në Beograd njohjen e Kosovës.
“Unë kam pritur që ai në Beograd do të deklarojë që, pavarësisht presidentit të Serbisë, Serbia duhet ta njohë Kosovën në vend se në Prishtinë të thotë, pavarësisht kryeministrit të Kosovës, duhet të bëhet Asociacioni”, ka thënë Kurti.