Site icon PrishtinaPress

Takimi në Ohër, plani evropian, Asociacioni – çfarë tha Kurti në 24 orëshin e fundit

Kanë mbetur edhe pesë ditë nga takimi në Ohër mes Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiq, me ftesë të Përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell si dhe të Dërguarit të Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, Mirosllav Lajçak, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Gjatë ditës së djeshme, në një video-mesazh për edicionin e 11 të Forumit të Mannheimit, kryeministri i vendit, Kryeministri Kurti foli edhe për dialogun Kosovë-Serbi, dhe Propozimin evropian për normalizim të marrdhënieve, duke ju referuar edhe takimit të 18 marsit në Ohër.

Kurti tha se shpreson që refuzimi i Serbisë për ta nënshkruar marrëveshjen, nuk është indikacion që nuk pajtohen me përmbajtjen.

“Në takimin trilateral në Bruksel më 27 shkurt, ofrova të nënshkruaj marrëveshjen bazë në emër të Republikës së Kosovës. Fatkeqësisht presidenti i Serbisë refuzoi. Refuzimin, ai e bëri publik pasi doli nga takimi. Javën e ardhshme ne përsëri do të takohemi në Ohër, në Maqedoninë e Veriut. Unë shpresoj që refuzimi i Serbisë që ta nënshkruaj propozimin në Bruksel nuk është indikacion që ata nuk pajtohen me përmbajtjen. Çdo ditë ne dëshmojmë kreativitetin dhe konstruktivitetin. Ne besojmë që marrëveshja bazë mes Kosovës dhe Serbisë përbën avancimin drejt njohjes reciproke mes dy shteteve. Ne besojmë që normalizimi i plotë i raporteve kërkon njohjen e tillë, si copa qendrore e marrëveshjes”, tha ai në një video të publikuar në faqen zyrtare të Qeverisë.

Por, në këtë 24 orësh, Kryeministri Kurti lidhur me Asociacionin e komunave me shumicë serbe ka thënë se ai është kryeministër i të gjithë qytetarëve, dhe se zgjidhjet monoetnike nuk i lejon ligji i Republikës sonë, ndërsa kreu i ekzekutivit ka thënë se është skeptik se marrëveshja do të nënshkruhet javën e ardhshme.

“Ne duhej ta nënshkruanim marrëveshjen më 27 shkurt. Fatkeqësisht, presidenti i Serbisë nuk deshi dhe për këtë, ky traktat bazë që është propozuar nga BE-ja, është një terren i fortë për të ecur përpara dhe shpresojmë ta arrijmë përfundimisht më 18 mars”.

“Kushtetuta jonë, e cila në thelb është shkruar nga ish-presidenti i Finlandës, laureati i Çmimit Nobel për Paqe, Martii Ahtisari, nuk e lejon një entitet mono-etnik si një Asociacion i Komunave me Shumicë Serbe. Pra, kjo nuk do të kalonte në Gjykatën tonë Kushtetuese, ashtu siç nuk do të kalonte në të kaluarën dhe nuk do të kalonte në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut në Strasburg”, ka thënë Kurti.

Por, se 15 modelet e ofruara nga Bashkimi Evropian për themelimin e Asociacionin, po trajtohen, e tha sot Kurti në Kamenicë, ku po merrte pjesë në vendosjen e gurthemelit të një shkolle atje.

Kurti tha se nga këto modele të trajtimit të pakicave kombëtare në Bashkimin Evropian, do të shohin të marrin elemente që edhe pakicat në Kosovë të jenë në nivelin e duhur. Por nënvizoi se nuk do të bëjë kompromis me kushtetutshmërinë, ligjshmërinë dhe funksionimin e shtetit.

“Modelet të cilat janë prezantuar nga emisari evropian Lajçak janë solucione të ndryshme të pakicave kombëtare në vendet e Bashkimit Evropian, janë pesëmbëdhjetë sosh gjithsej të cilat janë të mirënjohura. Unë s’po përmendi ndonjëherë të mos i rrezikoj apo harroj një pjesë, por në vendet e BE-së dihet se përveç popullsisë shumicë ka edhe pakica. Janë përmendur 15 raste të tilla, disa janë më rishtazi, disa më të hershme edhe para se të ekzistojë Bashkimi Evropian. Unë besoj se ato janë modele nga të cilat ne mund të marrim elemente në mënyrë që jo vetëm të drejtat e njeriut, por edhe të pakicave kombëtare të jenë në nivelin e duhur në vendin tonë… Ato po trajtohen nga këshilltarët e mi, nga disa prej ministrave në mënyrë që të shohim se çka është më e favorshme. Natyrisht, kushtetutshmëria, ligjshmëria, barazia, funksionimi i shtetit janë diçka që ne nuk bëjmë asnjëherë kompromis”, tha ai./Reporteri.net/

Exit mobile version