-2.1 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Buy now

spot_img

Takimi në nivel kryenegociatorësh dhe “diskutimet e dobishme”: Bislimi e përsëritë qëndrimin e Kurtit

Kosova dhe Serbia diskutuan të enjten në Bruksel në nivel kryenegociatorësh zbatimin e marrëveshjes së arritur me herët gjatë këtij viti për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.

I dërguari evropian Miroslav Lajçak zhvilloi takime të ndara me delegacionin serb të drejtuar nga kryenegociatori Petar Petkoviq, për të vazhduar më pas me atë të Kosovës, të drejtuar nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi. 

Por nuk pati një takim trepalësh.

Lajçak shkroi në rrjetet sociale se “diskutimet ishin të dobishme për të bërë përparim në një sërë çështjesh në agjendën tonë”.

Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi tha pas takimit se me Lajçak nuk është diskutuar për Asociacionin e komunave serbe, pasi sipas tij, Kosova ka qëndrim të qartë për këtë çështje.

“Në agjendë ka qenë si pikë mirëpo ne vetëm i kemi treguar Lajçak që ne kemi një pozicion të qartë të artikuluar me 26 tetor në takimin që Kurti kishte me udhëheqësit evropianë, që ne jemi të gatshëm ta pranojmë dokumentin në plotni, të nënshkruar së bashku me dy dokumentet tjera të rëndësishme, marrëveshjen bazike dhe aneksin implementues. Nuk kemi pasur nevojë për sqarime shtesë nga ana e Bashkimit Evropian, prandaj edhe nuk kemi diskutuar”, tha ai.

Bislimi tha se draft statuti i propozuar nga vendet perëndimore ka pasur një kujdes të shtuar lidhur me kushtetutshmërinë e vendit.

Ai tha se Asociacioni nuk mund të nisë të zbatohet pa nënshkrim të marrëveshjeve.

“Jo nuk mund të nisë për arsye se duhet garanca që kemi një marrëveshje valide e cila pastaj krijon obligime edhe për palën tjetër”, tha ai.

Kurse kryenegociatori i Serbisë, Petkoviq tha se në takim me Lajçak është diskutuar draft statuti i Asociacionit që sipas tij është edhe hapi i parë drejt formimit të tij. 

Ai tha se statuti i Asociacionit është një dokument jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe Serbia i kushton vëmendje çdo shkronje dhe gjithçka duhet të jetë në përputhje me marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015.

Propozimi për draft statutin e Asociacionit u është dorëzuar palëve më 21 tetor nga të dërguarit amerikanë dhe evropianë. 

Më 26 tetor udhëheqësit e Gjermanisë, Francës e Italisë dhe të institucioneve të Bashkimit Evropian takuan ndarazi në Bruksel kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për të diskutuar rrugën përpara drejt normalizimit.

Udhëheqësit e vendeve kryesore të Bashkimit Evropian, kërkuan nga Kosova themelimin e Asociacionit, ndërsa nga Serbia, njohjen de fakto të Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se ishte i gatshëm të nënshkruante propozimin për statutin, por akuzoi presidentin serb Vuçiq se refuzoi të nënshkruante. Kurse ky i fundit tha se propozimi paraqet bazë të mirë për bisedime të mëtejme, por hodhi poshtë çdo mundësi të njohjes së pavarësisë së Kosovës.

Propozimi për themelimin e Asociacionit i cili ende nuk është bërë publik, ka nxitur debate të shumta në Kosovë, ku janë shfaqur disa propozime, vërtetësia e të cilëve nuk është pohuar nga diplomatët perëndimorë, që kanë kërkuar trajtimin e çështjes në mirëbesim.

Javën e kaluar ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, i vlerësoi të paarsyeshme debatet rreth kushtetutshmërisë së statutit duke nënvizuar se propozimi është hartuar me shumë kujdes dhe duke respektuar në tërësi Kushtetutën e Kosovës.

Themelimi i Asociacionit është detyrim i përfshirë në marrëveshjen e Brukselit dhe të Ohrit e cila synonte të ulte tensionet ndërmjet palëve, të cilat që atëherë u përkeqësuan duke arritur një pikë të lartë në fund të muajit shtator pas sulmit terrorist mbi Policinë e Kosovës nga një grup serbësh të armatosur, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img