Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka publikuar një foto nga takimi me të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, në prag të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara që mbahet në New York.
“Me mikun e mirë Miroslav Lajçak, për ecurinë e dialogut Kosovë – Serbi”, shkruan Rama.
Më herët i dërguari special përmes një postimi në rrjetet sociale, theksoi se me Ramën kanë diskutuar për situatën në Ballkanin Perëndimor.
“Pata një takim shumë të dobishëm me Edi Ramën në prag të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Ne diskutuam situatën në Ballkanin Perëndimor. Mirënjohës për njohuritë dhe mbështetjen e tij për dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, shkruan Lajçak për takimin me Ramën.
Liderët e Ballkanit Perëndimor u takuan dje në New York me Shefin e Diplomacisë Europiane, Josep Borrell në kuadër të veprimeve të koordinuara nga SHBA dhe BE-ja për të zgjidhur problemet që kanë mbetur në Ballkanin Perëndimor kryesisht për arritjen e marrëveshjes finale Kosovë-Serbi si dhe konfliktin e ndezur në Bosnjë Hercegovinë./Prishtinapress/