-3.8 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Buy now

spot_img

Takimi me Lajçak, flasin nga Kryeministria: Mbesim të përkushtuar për normalizim të marrëdhënieve dhe njohje reciproke

I Dërguari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, ka qëndruar sot në Prishtinë ku ka zhvilluar takime me presidenten, Vjosa Osmani, kryeministrin, Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrin, Besnik Bislimi.

Përmes një komunikate për media, Zyra e Kryeministrit njofton se në takimin Lajçak – Kurti – Bislimi u diskutua në lidhje me aspektet e ndërlidhura me zbatimin e plotë të Marrëveshjes Bazike të Brukselit dhe Aneksit Implementues të Ohrit, siguria ligjore përmes nënshkrimit të tyre, por edhe për tema e çështje tjera, si respektimi i procedurave ligjore drejt zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat në veri të vendit.

Sipas Kryeministrisë, Kosova mbetet e përkushtuar për normalizim të plotë të marrëdhënieve me Serbinë dhe për njohje reciproke, përmes një procesi të dialogut të barabartë, të balancuar e të drejtë për palët.

Ndërsa në një prononcim për mediat, Lajçak ka thënë se pavarësisht disa rezultateve të arritura përmes dialogut, si marrëveshja për energjinë, njohja e targave e heqja e regjimit të stikersave, është arritur pak progres në procesin e normalizimit të marrëdhënieve.

Sipas tij, me arritjen e marrëveshjes në shkurt dhe mars të 2023-ës, nuk ka vend për pyetjet se çfarë dhe si të veprohet, por vetëm kur, duke theksuar më tej se meqë do të ketë zgjedhje në BE dhe SHBA, atëherë kjo nënkupton se vëmendja e bllokut do të fokusohet në këtë proces.

Emisari i BE-së ka thënë se gjatë takimit është diskutuar edhe ndalimi i dinarit serb nga Banka Qendrore e Kosovës, për të cilin ka thënë se “nesër do të jepen më shumë informata”.

Ndërsa për hetimet e sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku, Lajçak tha se ato po kryhen nga shtete individuale dhe jo nga BE-ja.

“Sulmi në Banjskë diskutohet në çdo takim prejse ka ndodhur. E diskutuam edhe dje në Beograd. Presim që sulmuesit të mbahen përgjegjës. Po presim hetimet nga shtetet individuale”, deklaroi Lajçak.

Kujtojmë se Lajçak më herët u takua edhe me presidenten e vendit, Vjosa Osmani, ku u diskutua për zhvillimet e fundit në procesin e dialogut me Serbinë, me ç’rast Osmani ritheksoi përkushtimin e Kosovës si palë konstruktive në këtë proces.

Ajo theksoi se marrëveshja e Brukselit e 27 shkurtit 2023 dhe aneksi i Ohrit i 18 marsit 2023 duhet të zbatohen në plotni.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img