Site icon PrishtinaPress

Takimi me Kurtin, Begaj: Marrëveshja me Serbinë duhet të përmbyllet me njohje reciproke

Gjatë ditës së sotme janë takuar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj.

Përmes një komunikate për media është njoftuar se, në takim është diskutuar edhe dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, për të cilin Begaj është shprehur se duhet të përfundojë marrëveshje reciproke.

“Presidenti Begaj tha se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe theksoi përkrahjen për qëndrimet e Kosovës në dialogun me Serbinë, që siç tha ai, duhet të përmbyllet me një marrëveshje përfundimtare që në qendër ka njohjen reciproke”, thuhet përveç tjerash në komunikatë.

Komunikata e plotë:

Kryeministri Kurti priti në takim Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj

Prishtinë, 15 gusht 2022

Kryeministri i Republikës së Kosovës, z.Albin Kurti, priti sot në takim Presidentin e Republikës së Shqipërisë, z.Bajram Begaj. Para takimit së bashku me delegacionet, kryeministri Kurti dhe presidenti Begaj zhvilluan një takim tête-à-tête.

Duke e uruar për marrjen e detyrës, kryeministri Kurti u shpreh mirënjohës që vizitën e tij të parë zyrtare pas marrjes së detyrës presidenti Begaj e realizoi në Kosovë.

Ai e përgëzoi Shqipërinë për hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian dhe ritheksoi përkushtimin dhe gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit, si dhe thellimin dhe zgjerimin e mëtejmë të marrëdhënieve ndërmjet të dy shteteve tona.

Kryeministri Kurti theksoi rëndësinë e mbështetjes së Shqipërisë në proceset e anëtarësimit të Kosovës në Programin e Partneritetit për Paqe të NATO-s, Kartën e Adriatikut, Këshillin e Evropës dhe për aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Duke folur për bashkëpunimin konkret ndërmjet dy republikave, u diskutua rëndësia e projektit për hekurudhën Durrës-Prishtinë e sidomos e investimeve në mbrojtje e siguri, si çështje të sovranitetit, për çka u kërkua bashkëpunimi i të dyja vendeve në këtë drejtim.

Presidenti Begaj e falënderoi kryeministrin për pritjen dhe theksoi gatishmërinë për rritje të bashkëpunimit bilateral. Ai shprehu përkrahjen e plotë për liberalizimin sa më të shpejtë të vizave për qytetarët e Kosovës dhe për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Po ashtu, shprehu mbështetjen për vendimet e qeverisë rreth reciprocitetit për targat dhe dokumenteve identifikuese, dhe e përgëzoi kryeministrin për maturinë dhe qetësinë e treguar rreth zhvillimeve të 31 korrikut. Presidenti Begaj tha se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe theksoi përkrahjen për qëndrimet e Kosovës në dialogun me Serbinë, që siç tha ai, duhet të përmbyllet me një marrëveshje përfundimtare që në qendër ka njohjen reciproke.

Duke vlerësuar marrëdhëniet e shkëlqyera, ata u pajtuan që duhet të ketë më shumë koordinim në politikën rajonale, në përputhje me orientimin demokratik, qëllimin e përbashkët për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe të forcimit të aleancës veri-atlantike.

Exit mobile version