6.3 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Buy now

spot_img

Takimi i Grupit Koordinues, Bogujevci: Kosova në fazën përfundimtare të anëtarësimit në KiE

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës,  Kreshnik Ahmeti dhe nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës,  Saranda Bogujevci, kanë bërë hapjen e punimeve të takimit të dytë të Grupit Koordinues për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Zëvendësministri Ahmeti tha se që nga momenti i aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës procesi pati një rrjedhë të suksesshme.

“Raporti i Juristëve Eminent, i cili sipas procedurës në fuqi dhe praktikave, ka për qellim të trajtojë nëse sistemi ligjor i Republikës së Kosovës është në përputhje me standardet e Këshillit të Evropës, e konfirmoi një gjë të tillë, duke theksuar madje se në disa çështje sistemi ligjor i Kosovës tejkalon standardet ndërkombëtare”, tha Ahmeti.

“Ne kemi sistemuar të gjitha përfundimet dhe rekomandimet e dala nga Raporti i Juristëve Eminentë dhe të njëjtat do t’i diskutojmë sot. Kjo është edhe një shenjë që tregon seriozitetin e institucioneve të Kosovës për të shënuar progres të brendshëm dhe për ta përmbyllur sa më parë anëtarësimin në Këshillin e Evropës, nga ku do të derivojnë të  drejta dhe përfitime per secilin qytetarë të Republikës së Kosovës, e veçanërisht për komunitetet pakicë”, ka thënë ai.

Ndërkaq nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci, tha se në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës dominon një atmosferë mjaft pozitive ndaj këtij procesi dhe tani Kosova është pothuajse në fazën përfundimtare të anëtarësimit në Këshillin e Evropës.

“Si udhëheqëse e delegacionit tē Kosovës qysh nga takimet që kemi pasur në qershor të vitit 2021 ka pasur një qasje shumë pozitive sa i përket anëtarësimit në Këshillin e Evropës”, ka thënë nënkryetarja Bogujevci, duke theksuar se Kosova ka dëshmuar se qëndron më mirë se edhe vetë disa shtete që janë shtete anëtare të Këshillit të Evropës.

“Nuk ka asnjë dilemë që Kosova medoemos duhet të jetë pjesë e Këshillit të Evropës. Na ka mbetur pjesa përfundimtare dhe kemi ende shumë punē. Jemi në rrugën e mirë. Kemi me të vërtetë përkrahje të madhe që ta përmbyllim këtë proces”, është shprehur Bogujevci.

Në kuadër të takimit të Grupit Koordinues për Anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, prezantimin e përfundimeve të Raportit të Juristëve Eminentë rreth përputhshmërisë së Sistemit Ligjor të Kosovës me Standardet e Këshillit të Evropës e ka bërë këshilltarja e jashtme, Adelina Hasani.

“Raporti nuk parasheh asnjë pengesë të çfarëdo lloji për anëtarësim e Kosovës në Këshillin e Evropës. Përderisa raporti ofron rekomandime për përmirësim të gjendjes në fushën e demokracisë, sundimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut, nuk parasheh ndonjë parakusht për anëtarësim”, është shprehur Hasani.

Përgjatë pjesës së dytë të takimit, të pranishmit shqyrtuan përfundimet dhe rekomandimet e dala nga Raporti i Juristëve Eminentë, si dhe mundësitë për adresimin e tyre brenda një afati sa më të shkurtër kohor./Express/

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img