Site icon PrishtinaPress

Takimi i Brukselit, kancelari gjerman beson në një marrëveshje të shpejtë Kurti-Vuçiq

Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, ka pritur sot në takim kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën.

Pas takimit, ata kanë mbajtur një konferencë për media, ku Scholz ka thënë se beson që së shpejti kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, do të nënshkruajnë propozimin e Bashkimit Evropian për normalizim marrëdhëniesh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama në Berlin, Scholz u shpreh se plani-franko gjerman mbështetet nga Bashkimi Evropian dhe SHBA.

Ai ka shtuar se propozimi është gjithëpërfshirës dhe “shumë i peshuar i Gjermanisë dhe Francës”.

Ndërkohë edhe Rama u shpreh se Shqipëria mbështet plotësisht planin evropian të paqes mes Kosovës dhe Serbisë si zgjidhja e vetme.

“Shqipëria, qeveria jonë, unë personalisht e mbështesim fuqimisht planin e paqes dhe normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë, është një plan shumë përmbajtësor dhe realist”, tha Rama.

“Marrëdhëniet dypalëshe midis Gjermanisë dhe Shqipërisë janë të shkëlqyera”, u tha kancelari gjerman gazetarëve, duke shtuar se qeveria e tij do të mbetet një “partner i besueshëm” në përpjekjen e Tiranës për t’u bashkuar me BE-në.

Exit mobile version