Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq do të takohen të hënën më 27 shkurt në Bruksel. Ky takim i cili do të mbahet në kuadër të vazhdimit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të duhej të sillte një konkretizim të agjendës për arritjen e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë, e cila është paraparë të arrihet në pjesën e parë të vitit 2023.
Kështu tha në një prononcim për Telegrafin njohësi i fushës, Emir Abrashi, i cili po ashtu tha se nuk do të çuditej nëse palët do të gjenin arsye të reja për ta shtyrë edhe më tutje arritjen e marrëveshjes, duke hapur tema të reja e të cilat ngjallin mosmarrëveshje të reja.
“Ajo që është e rëndësishme është që pala kosovare të shkojë e përgatitur dhe të jetë konstruktive në takimin e 27 shkurtit, si dhe ç’është e rëndësishme është që për temën e cila është treguar më problematike në këtë fazë të fundit të bisedimeve, Asociacioni të jetë e përgatitur për të ofruar një zgjidhje duke prezantuar propozime konkrete, ndërsa implementimin e së cilës duhet ta kushtëzojë me arritjen e marrëveshjes përfundimtare”, tha ai.