Site icon PrishtinaPress

Tahiri: Zajednica dhe autonomia politike për serbët që nga dje kanë vulën e Albin Kurtit

Në lidhje me pajtimin e djeshëm në Ohër për Aneksin e Zbatimit të Marrëveshjes Bazë për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbi, ku në veçanti pala kosovare zotohet që “menjëherë” të nis zbatimin e Nenit 7 ku parashihet dhënia e një “niveli të duhur vetëmenaxhimi për komunitetin serb” në përputhje me marrëveshjen e mëparshme përkatëse të Dialogut (ku përfshihet Asociacioni i Komunave të banura me shumicë serbe), ka reaguar edhe Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, i cili konstaton se që nga dje “Zajednica” dhe “autonomia politike për serbët” mbajnë vulën e kryeministrit Albin Kurti.

Reagimi i Abelard Tahirit:

Për më shumë se një dekadë, Albin Kurti ua ka mohuar dy milion qytetarëve të Kosovës një normalitet shoqëror e politik, duke premtuar ndryshime radikale në dialogun me Serbinë, si shtegun më të afërt për të ardhur në pushtet.

Tash që ka bërë marrëveshje me Aleksandër Vuçiqin, edhe pse s’do të mund t’ia kthejë Kosovës vitet e humbura, ai duhet të mbahet përgjegjës për de normalitetin e viteve që po vijnë. Me këtë marrëveshje, atij duhet t’i kërkohet llogari politike dhe do t’i kërkojmë llogari, mbi një numër të madh temash e obligimesh, pas së cilave e ka lidhur Kosovën.

Pavarësisht pretendimeve për t’iu dhënë tjetër emër, gjërave shumë të qarta si zajednica e autonomia politike për serbët, nga dita e djeshme, që të dyja e kanë vulën e Albin Kurtit. Marrëveshja e tij me Vuçiqin, jo vetëm që nuk është e plotë për shkak se nuk i ka sjellë Kosovës as njohje, as funksionalitet, por është e pa përmbyllur sepse i ka hapur dyert dilemave të cilave Albin Kurti nuk do të mund t’iu shpëtojë me deklarata.

Përveç çështjeve kapitale kushtetuese, ai duhet të përgjigjet në radhë të parë për realitetin që krijon kjo marrëveshje dhe mbi atë se çka ka zgjidhur konkretisht kjo marrëveshje, në çështjet e hapura mes Kosovës dhe Serbisë? Njëkohësisht, në mes tjerash, ai duhet t’iu tregojë shqiptarëve të Mitrovicës së Veriut, se kur ata do të mund të kthehen në pronat dhe banesat e tyre të uzurpuara. Duhet të përgjigjet, se a u shpërbënë grupet e armatosura kriminale në veri të vendit, dhe cila është adresa nga e cila, qytetarët pa dallim etnie në komunat veriore të Kosovës, mund të kërkojnë siguri e rend tani e tutje. Duhet t’ua shpjegojë qytetarëve të Kosovës se pas kësaj marrëveshje, a janë ata më të sigurt që të lëvizin lirshëm në çdo cep të territorit të vendit.

Marrëveshje ka. Ajo nuk zgjidhë asgjë për Kosovën, as për të shkuarën, as për të ardhmen. Ajo rrezikon ta de funksionalizojë shtetin tonë dhe ta prishë balancin kushtetues mbi të cilin funksionon republika jonë. Ajo është marrëveshje për rehabilitimin e Aleksandër Vuçiqit, e cila e mbanë emrin e vulën e Albin Kurtit.

Exit mobile version