1.7 C
Pristina
Friday, November 15, 2024

Buy now

spot_img

Tahiri-Vuçiqit: Këpuca e ushtarit dhe policit serb s’do ta shkelë këtë pjesë më asnjëherë!

Sot gjatë ditës është zhvilluar një operacion i madh i autoriteteve policore dhe atyre të drejtësisë në disa komuna të Kosovës, me fokus të veçantë në komunat veriore, ku u arrestuan zyrtarë policorë dhe qytetarë si të dyshuar për krim, korrupsion dhe keqpërdorim detyre.

Ky aksion i policisë dhe organeve të drejtësisë hasi në rezistencë – edhe të armatosur – ku si pasojë mbetën një polic i plagosur dhe katër të lënduar.

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka treguar se situata në këtë pjesë të Kosovës ishte vlerësuar paraprakisht mirë.

“Padyshim kanë qenë shumë mirë të përgatitur njësitet policore që kanë marrë pjesë në këtë aksion që është përgatitur tash e një kohë të gjatë. Operacioni ka shkuar në mënyrën më të mirë të mundshme”.

“Bashkë me kryetarin e Kuvendit, Kadri Veselin, kemi qëndruar në Mitrovicë. Kemi vizituar edhe policin e plagosur që ka qëndruar për një kohë në Spitalin e Mitrovicës i cili për fat të mirë është në gjendje të mirë shëndetësore”.

“Janë edhe katër policë të lënduar gjatë shmangies së barrikadave që u munduan ta pengojnë aksionin e Policisë së Kosovës”.

Tahiri në Info Magazine të Klan Kosovës ka thënë se këto grupe kriminale që janë goditur në operacionin e sotëm mbështeten nga Beogradi zyrtar.

“Sot vërtetë u goditën grupe dhe banda kriminale, që në një formë ose tjetër, kanë pasë mbështetjen e Beogradit. Sot e kemi parë një angazhim të madh të Beogradit duke thirrur edhe mbledhjen e Këshillit të Sigurisë për t’i dalë në ndihmë këtyre grupeve kriminale”.

Mirëpo, ai ka thënë se ky nuk është sulm direkt ndaj serbëve.

“Sot ju e patë edhe reagimin e Brukselit. Ne i kemi treguar botës që jemi të aftë dhe kemi shtrirë sovranitetin në gjithë territorin e Kosovës si institucione të Kosovës”.

“Qytetarët serbë janë ata që më së miri e ndjejnë në lëkurën e tyre. Ky aksion më së shumti ju konvenon qytetarëve të ndershëm që jetojnë dhe zhvillojnë bizneset e tyre të vogla dhe të mesme në këtë pjesë të Kosovës”.

“Këto grupe kriminale që janë goditur sot kanë qenë pengesë për zhvillimin e jetës së serbëve. Qytetarët serbë janë ata që kanë bashkëpunuar me institucionet tona për të pasë suksesin që e kemi pasë sot”.

Por, çfarë thotë Ministri i Drejtësisë për deklaratën e presidentit serb i cili gjatë ditës tha se nëse situata në veri eskalon do ta dërgojë ushtrinë serbe në Kosovë?

“Deklaratat e presidentit serb Aleksandar Vuçiq gjithmonë kanë mbetur në nivel të deklaratave dhe në të ardhmen do të mbesin njëjtë. Kjo çfarë ka ndodhur sot ka qenë goditje e grupeve kriminale që jo rrallë herë e kanë gjetur përkrahjen e presidentit [Aleksandar] Vuçiq”.

“Një nga kriminelët kryesor që kërkohet nga drejtësia kosovare, edhe për vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanoviq, strehohet nga presidenca serbe. Ne, presidencën serbe e shohim fatkeqësisht si ombrellë të këtyre kriminelëve që ua vështirësojnë jetën edhe serbëve të Kosovës”.

Tahiri ka siguruar se serbët e veriut të Kosovës nuk mund të barikadohen dhe rrugët nuk do të bllokohen.

“Këto rrugë nuk do të bllokohen. Ne kemi institucione të Republikës së Kosovës që janë në dispozicion të të gjithë qytetarëve dhe për të garantuar sigurinë e të gjithë qytetarëve, përfshirë edhe komunitetin serb”.

“Ne nuk do të lejojmë, në asnjë rrethanë, që të ketë asnjë bllokadë për qytetarët tanë. Policia e Kosovës do të lëviz lirshëm në gjithë territorin e Kosovës. Do të vazhdojmë t’i godasim grupet kriminale në të gjitha pjesët e Kosovës”.

Si e komenton Abelard Tahiri kërkesën e Bashkimit Evropian për vetpërmbajtje nga të dyja palët, Kosova dhe Serbia?

“Nuk mendoj që është thirrje që të mos goditen grupet kriminale. Grupet kriminale e kanë mbajtur peng këtë pjesë të Kosovës për 10 vjet pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës”.

“Ne duhet të jemi të përmbajtur sa i përket deklaratave, në këtë rast presidenti Aleksandar Vuçiq që bën thirrje dhe në një mënyrë që tregon gatishmërinë e tij të intervenojë në Kosovë”.

“Kjo është vetëm një ëndërr e parealizuar e tij sepse asnjëherë më këpuca e ushtarit dhe policit serb nuk do ta shkelë këtë pjesë – kjo ka përfunduar në vitin 1999”.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img