Site icon PrishtinaPress

Tahiri thotë se pushteti po përpiqet t’ia “grabisë” një kompetencë AKI-së

Abelard Tahiri, shef i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), ka deklaruar të enjten se kryeministri Albin Kurti ”po përpiqet t’ia grabisë AKI-së kompetencën për të lëshuar leje të sigurisë për qasje në informacione dhe dokumente të klasifikuara”.

Referuar projektligjit të ri për mbrojtjen e informacionit, Tahiri thotë se lëshimi i lejes së sigurisë është kompetencë e Agjencisë Kosovare për Inteligjencë (AKI).

”Me projektligjin e ri për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar, lëshimin e lejes së sigurisë nuk do ta bëjë AKI-ja, por një zyre që po e themelon Albin Kurti“, ka shkruar Tahiri në Facebook. ”Agjencia Kosovare e Inteligjencës, e cila, si një organ i pavarur që vepron mbi bazën e kushtetutës dhe ligjit, aktualisht është autoriteti i vetëm për të lëshuar leje të sigurisë për qasje në informacione dhe dokumente të klasifikuara“.

”Kjo përgjegjësi dhe kompetencë që i takon AKI-së si Autoritet Verifikues, sot po përpiqet të grabitet nga pushteti i Albin Kurtit, i cili me projektligjin e ri për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar, dëshiron ta themelojë një institucion brenda Zyrës së Kryeministrit që do të jetë përgjegjës për vlerësimin dhe pajisjen me leje të sigurisë“, vazhdon shefi i grupit parlamentar të PDK-së.

Sipas tij, Qeveria po përpiqet ta shembë traditën institucionale në kurriz të sigurisë kombëtare e shtetërore.

“Me këtë akt, garancitë ligjore për të pasur verifikim të drejtë e legjitim për leje të sigurisë për qasje në informacione të klasifikuara, kalojnë nga një organ i pavarur si AKI-ja, në një organ që menaxhohet nga zyra e kryeministrit, duke shënuar kështu përpjekjen më flagrante për të shembur traditën institucionale në kurriz të sigurisë sonë kombëtare e shtetërore“, thotë ai.

”Kjo mësymje për të vënë duart në një mekanizëm jashtëzakonisht të rëndësishëm për sigurinë, ngjason me pushtetet autoritare ku pushtetarët e jo ligji, vendosin se kush është i denjë për të pasur qasje në informacione të klasifikuara, duke shënuar kështu preludin e një mentaliteti frikësues e shantazhues që Albin Kurti po përpiqet ta instalojë në Kosovë“, ka deklaruar deputeti opozitar.

Exit mobile version