Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka reaguar lidhur me rritjen e tatimit në pronë.
Ai, ka thënë se ky është sulm ndaj qytetarëve.
Përmes, një postimi në profilin e tij në rrjetin social Facebook, Tahiri ka shkruar se në vend se shteti të sigurojë vitalitetin e ekonomisë, e të garantojë mirëqenien e qytetarëve, ai po kthehet në instrument të varfërimit të qytetarëve.
Postimi i tij i plotë:
Rritja e tatimit për pronat është sulm ndaj qytetarëve!
Efektet zinxhir të krizës socio-ekonomike, nuk mund të shërbejnë si vlerësime reale të normës tatimore të pronave.
Logjika që kriza e shkaktuar nga inflacioni të kthehet barrë, jo vetëm e rritjes së çmimeve bazike, por edhe në vlerësimin e vlerës tatimore, është e pa bazuar, jo logjike dhe rënduese për qytetarët.
Ka kohë që nxjerrja e parave nga xhepi i qytetarëve, po përkthehet si rritje e të hyrave buxhetore, si rritje ekonomike.
Në vend se shteti të sigurojë vitalitetin e ekonomisë, e të garantojë mirëqenien e qytetarëve, ai po kthehet në instrument të varfërimit të qytetarëve.
Nuk vlejnë rregulla të njëjta në kriza, bota njeh teori e shembuj të ndërhyrjes së shtetit, për të kapërcyer kriza, e jo praktika të krekosjes kur qytetari ka plot halle./Prishtinapress/