Ish-kryenegociatorja e Kosovës në dialogun me Serbinë, Edita Tahiri ka shkruar në Facebook se Qeveria nuk ka “asnjë strategji” në bisedime.
Tahiri e kritikoi Qeverinë e Kosovës që, siç tha, u kthye në dialog pa u ndëshkuar Serbia.
“Qeveria jone nuk udheheq por vetem raporton (per sulmin ne Banjske). Asnje strategji nuk ka, madje BE beri nje veprim hoqi ndermjetesit dhe vuri tre lidere evropian; Serbia nuk u ndeshkua, ndersa kete jave qeveria merre pjese ne Dialog pa u ndeshkua Serbia”, shkroi Tahiri.
Vjosa Osmani dhe Glauk Konjufca kishin deklaruar mosgatishërinë e Kosovës për t’u kthyer si zakonisht në dialogun me Serbinë, pas sulmit të 24 shtatorit, ndërkohë që kryeministri Albin Kurti u desh të rikthehet në proces.
“Sanksionet (ndaj Serbisë) fillimisht e më pas mund të diskutojmë”, thoshte Presidentja. Dialogu tash “është në rend të tretë”, shprehej Kryeparlamentari.
Por SHBA-ja e konsideroi “jetike” dhe “urgjente” kthimin në dialog, ashtu si edhe Gjermania. Edhe pas sulmit të 24 shtatorit, në Bruksel patën thënë se “nuk ka asnjë rrugë tjetër, pos kthimit në dialog”.