Site icon PrishtinaPress

Tahiri: Projektligjet për gjyqësorin, do nxisin një epokë të re në sistemin e drejtësisë

Për një sistem efikas të drejtësisë, është jetike që qasja në të t’i mundësohet  gjithë qytetarëve të vendit.

Në kohën kur besueshmëria në gjyqësor dhe në sistemin prokurorial nuk është e kënaqshme, ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri synon që më pakon e re të projektligjeve të nxis një epokë të re, duke mundësuar që ky sistem të jetë transparent dhe i përgjegjshëm.

Në këtë intervistë, ministri Tahiri tregon në detaje ndryshimet që do të parashihen te këto politika të reja.

Z. Tahiri, nga ardhja juaj në mandatin e ministrit të Drejtësisë, keni bërë të ditur se do të procedoni për miratim një pako të projektligjeve për Gjyqësorin. Çfarë përmbajnë këto projektligje dhe në çfarë fazë gjinden aktualisht?

Tahiri: Pakoja e ligjeve të gjyqësorit përbëhet nga katër projektligje, përkatësisht nga Projektligji për Këshillin Gjyqësor të Kosovës, Projektligji për Këshillin Prokurorial të Kosovës, Projektligji për Gjykatat dhe Projektligji për Përgjegjësitë Disiplinore të Gjykatësve dhe Prokurorëve. Këto projektligje, përfaqësojnë një avancim të mëtejmë të komponentëve zbatuese të sistemit të drejtësisë dhe si të tilla, do mundësojnë përmbushjen e disa aspekteve të rëndësishme që sigurojnë një sistem efikas të drejtësisë. Në rrafshin praktik, këto projektligje do të mundësojnë efikasitet më të madh të strukturës së organeve të zbatimit të ligjit, transparencë më të shprehur, qasje më të madhe në drejtësi dhe me theks të veçantë, do të sigurojnë llogaridhënien dhe përgjegjësinë e bartësve të pushtetit gjyqësor. Procesi i hartimit të këtyre projektligjeve ka përfunduar dhe ka qenë një proces gjithëpërfshirës, me mbështetje të plotë edhe të partnerëve tanë zhvillimor, ndërsa në njërën nga mbledhjet e ardhshme të qeverisë do të shtrohen për miratim, për tu proceduar më tej për miratim në agjendën e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Dëshiroj të theksoj se projektligjet për gjyqësorin, do nxisin një epokë të re në sistemin e drejtësisë, duke e bërë atë me fleksibil dhe më të avancuar në kuptim të administrimit të këtij sistemi,  në përputhje të plotë me rendin demokratik dhe perspektivën integruese të Republikës së Kosovës si dhe në përmbushje të mirëfilltë të mandatit kushtetues të degës së gjyqësorit.

Cilat janë ndryshimet kryesore në Projektligjin për Këshillin Gjyqësor dhe Këshillin Prokurorial dhe çka synojnë këto ndryshime? 

Tahiri: Projektligji për Këshillin Gjyqësor të Kosovës, nuk është rishikim apo plotësim i Ligjit në fuqi, por është Projektligj i ri, me dispozitat e të cilit sigurohet unifikimi i  ndryshim-plotësimeve në një tekst të vetëm më qëllim që i njëjti të jetë më lehtë i zbatueshëm.
Është bërë edhe harmonizimi me Amendamentin e 25-të të Kushtetutës rreth përbërjes dhe zgjedhjes së anëtarëve të KGJK-së, janë qartësuar kompetencat e Këshillit, është bërë harmonizimi me legjislacionin përkatës në fuqi, janë adresuar vështirësitë që ka hasur KGJK gjatë punës, si dhe dhënia e mundësisë që çështja e përgjegjësisë disiplinore për gjyqtarë të rregullohet me ligj të veçantë.
Në harmoni me përcaktimet kushtetuese me dispozitat e këtij Projektligji është paraparë krijimi i njësisë përkatëse për inspektim gjyqësor si dhe mënyra e lirimit nga detyra të gjyqtarëve.
Projektligji për Këshillin Gjyqësor të Kosovës është hartuar në koordinim me akterët relevant.
Sa i përket Projektligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës, po ashtu është siguruar unifikimi i  ndryshim-plotësimeve në një tekst të vetëm më qëllim që i njëjti të jetë më lehtë i zbatueshëm. Gjithashtu janë qartësuar kompetencat e Këshillit, dhe është harmonizuar me legjislacionin përkatës në fuqi.

Z. Ministër, sa i përket Projektligjit për Gjykatat, cilat janë ndryshimet në aspektin organizativ të gjykatave? 

Tahiri: Një nga ndryshimet themelore që është në funksion të rritjes së efikasitetit të gjyqësorit është nisma e paraparë me dispozitat e këtij Projektligji, ku në aspektin organizativ do ketë mundësi për themelimin e departamenteve të reja në secilën gjykatë themelore. Por edhe dhe në pajtim me Ligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes së Parë Ndërkombëtare të Parimeve që Rregullojnë Normalizimin e Marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, do të bëhet themelimi i Divizionit të Gjykatës së Apelit në Mitrovicën e Veriut.
Po ashtu më këtë Projektligj janë qartësuar procedurat e themelimit të gjykatave themelore apo degëve, që me ligjin aktual kanë qenë tejet të paqarta. Rrjedhimisht, kjo do t’i mundësojë sistemit të drejtësisë që të themelojë gjykata të reja apo degë të gjykatave për të plotësuar një kriter të rëndësishëm, ofrimin e shërbimeve të gjyqësorit kudo që shtrohet si nevojë. Natyrisht kjo edhe e shtron nevojën për një planifikim më të mirë në këtë drejtim.

Krahas këtyre ndryshimeve të rëndësishme në funksion të efikasitetit më të madh, ekziston edhe një aspekt plotësues në këtë drejtim e që lidhet me transparencën e gjyqësorit. Si do të adresohet çështja e transparencës së gjyqësorit me këto nisma të reja ligjore?

Tahiri: Për dallim nga ligji aktual mbi Gjykatat i cili kërkon vetëm publikimin e vendimeve të Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës Supreme, ligji i ri për Gjykatat i obligon të gjitha Gjykatat, nga ato themelore, Gjykatën e  Apelit dhe Gjykatën Supreme që t’i publikojnë të gjitha aktgjykimet përfundimtare në faqen e tyre zyrtare të internetit, në afat prej gjashtëdhjetë (60) ditësh nga data e nxjerrjes së aktgjykimit në pajtim me legjislacionin në fuqi dhe rregullat e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, duke siguruar mbrojtjen e të dhënave personale dhe duke e pasur parasysh parimin e prezumimit të pafajësisë.
Kjo nisme, korrespondon pikërisht me një nga kërkesat e vazhdueshme qytetare por edhe me vërejtjet e shumta në adresë të transparencës, dhe  Projektligji i ri obligon një gjë të tillë si dhe siguron qasje të plotë të publikut në vendimet e gjykatave, pa vonesa dhe në kohë të arsyeshme.

A mundësojnë këto projektligje përmirësim të cilësisë së zgjedhjes së personelit gjyqësor, gjegjësisht gjykatësve?

Tahiri: Ne besojmë se po, veçmas për faktin se kriteri për tu zgjedhur gjyqtar sipas së cilit kandidati duhet të ketë së paku 25 vite është hequr, kësisoj, drejtpërdrejtë do të rritet konkurrenca ngase më shumë kandidatë i plotësojnë kushtet që të mund të konkurrojnë që të përzgjidhen gjyqtar, rrjedhimisht, për shkak të konkurrencës pritet të rritet edhe cilësia. Po ashtu, ligji i ri për t’u zgjedhur gjyqtarë në Gjykatën e Apelit, kërkon së paku 5 vjet përvojë, në vend të 10 viteve, ndërsa për gjykatës në Gjykatën Supreme kërkon 8 vite përvojë në vend të 15 viteve siç është tani. Këto ndryshime të kritereve, rrisin dukshëm numrin kandidatëve për gjyqtarë që të mund të ushtrojnë funksionin e gjyqtarit në Gjykatën e Apelit, përkatësisht në Gjykatën Supreme, pra do të ketë shumë më shumë konkurrencë dhe kësisoj pritet përmirësim i dukshëm i cilësisë në të gjitha shkallët e gjyqësorit./Lajmi/

Exit mobile version