Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, gjatë qëndrimit në ShBA, ka takuar zyrtarë të lartë të Teksasit.
Tahiri ka thënë se Kosova është e bekuar që e ka fituar lirinë, demokracinë dhe pavarësinë me ndihmën e Amerikës.
“Gjatë qëndrimit në Teksas, pata nderin t’i takoj anëtarin e Senatit Amerikan nga ky shtet, Ted Cruz, Senatorin dhe Kryetarin për Arsim në Shtetin e Teksasit, Brendon Creighton, si dhe Prokurorin e Përgjithshëm të Teksasit, Ken Paxton. Në këto takime dhe diskutimet e shumta, është e qartë se jo vetëm ndjenja e mirë, por edhe energjia për të mbështetur Kosovën janë prezente të figura të larta të SHBA-ve. Kosova është e bekuar që e ka fituar lirinë, demokracinë dhe pavarësinë me ndihmën e Amerikës”, ka thënë Tahiri.
Tahiri ka shtuar se edhe pse vend i vogël, Kosova është e njohur dhe e dashur për Amerikën.
“Edhe pse jemi një vend i vogël, Kosova është e njohur dhe e dashur për Amerikën. Këtë ndjesi dhe këtë marrëdhënie duhet ta ruajmë dhe ta mbrojmë me shumë kujdes”, është shprehur Tahiri.