Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, në seancën ku në lexim të dytë po shqyrtohet Projektligji për zyrtarët publikë, ka thënë se me Ligjin e propozuar për zyrtarë publikë, në thelb po varroset meritokracia në punësim publik.
Ai ka treguar edhe për presionin që do ta kenë të punësuarit në shërbimin publik.
“Pas 22 muajve në emër të platformës punësim dhe drejtësi na vjen një ligj i cili në thelbin e vete e varrosë meritokracinë në shërbimin publik. Cili është motivi, cili është synimi i një zyrtari të shtetit që të mendojë për karrierën e vetë kur ngritja në karrierë varet nga partia në pushtet. Sot LVV, nesër një tjetër. Me miratimin e këtij ligji secili drejtor që sot e ka mandatin e tretë a të katërt e ka presionin se a do t’i vazhdohet kontrata”, ka thënë ai.
Tutje Tahiri tha se do të bëjnë gjithçka në rrugë ligjore për ta ndaluar një gjë të tillë.
“Për mua kjo është goditja më e madhe qe i jepet sistemit. Ky ligj juve sot do t’iu vendosë në pozitën më të keqe, sot jeni ju, nesër jemi ne. Secili i dyti shqiptar nuk ka votu për Qeverinë tuaj që ta marrë një vendim që e kthen kryesinë e partisë shef të rekrutimit. Në ditën që ju keni aplikuar për t’u bërë vend kandidat po atë ditë e keni votuar një ligj që është pengesa themelore në rrugëtim drejt BE-së. Ju e keni në dorën tuaj, por ne si GP dhe si deputetë e kemi me domosdoshmëri që të bëjmë gjithçka në rrugë ligjore për ta ndaluar një gjë të tillë. Kthehuni mbrapa përndryshe e keni bërë një dëm shumë të madh”./Prishtinapress/