Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka vazhduar kritikat e tij drejt qeverisjes Kurti, për të cilën tha se për tri vjet qeverisje nuk kanë shënuar asnjë sukses e asnjë progres.
Ai tha se pavarsisht kundërshtimeve politike, do të donin që sot të diskutonin për zhvillimet dhe të arriturat e vendit në fusha të ndryshme dhe jo për skandalet e shumta të Qeverisë, të cilat i përmendi me rend.
“Krejt përkundrazi, na është imponuar të flasim e të debatojmë për atë çka ka dalë në shesh si produkt i kësaj qeverisje. Në këto tri vite, produkt i qeverisjes Kurti kanë qenë keqpërdorimet e korrupsioni galopan në Korporatën Energjetike të Kosovës, ku kontratat që janë burim i korrupsionit janë nënshkruar nga zyrtari i lartë i VV-së, Nagim Krasniqi, të cilat arrijnë vlerën hiç më pak se 75 milion euro. Kontrata këto që s’kishte të përfundonte ndryshe veçse në Dubravë, aty ku është sot. Produkt i kësaj Qeverie për këto tri vite është edhe Faruk Mujku, i arrestuar për korrupsion. Produkt i Qeverisjes suaj ka qenë edhe ambasadori Berisha, shpërlarës i parave. Produkt i qeverisjes tuaj është edhe zhdukja e mostrave të Astrit Deharit. Kjo është e patolerueshme se si heshtni ju dhe merrni mbështetje keqbërsit, kryesit e kësaj vepre”, tha Tahiri.
Gjithashtu, ai paralajmëroi se gjatë ditëve në vijim t’i prezantojnë, siç pretenton ai, vjedhjet e Qeverisë në kulturë.
“Produkt i qeverisjes suaj janë edhe kontratat një burimore, të cilat do t’i elaborojmë ditëve në vijim, në trashegimi kulturore, të cilat do t’i prezantojmë një nga një, dhe qytetarët do të shohin se si vidhet buxheti në emër të restaurimeve në trashegimi, si vidhet në emër të kullave të dëshmorëve, e në emër të kulturës sonë”, shtoi Tahiri.
Tutje, ai ka shtuar se PDK-ja s’do të marrë pjesë në asnjë votim, të cilët dhe do të angazhohen “që kjo legjislaturë të marrë fund sa më shpejt”.
“Prandaj ne si Grup Parlamentar i PDK’së nuk do t’ju mbështesim në asnjë rrethanë, në asnjë votim, në asnjë marrëveshje ndërkombëtare, në asnjë projektligj. Angazhimi jonë do të jetë që kjo legjislaturë të marrë fund sa më shpejt, të shkojë në shtëpi sa më shpejt, mandate t’ju kthehet qytetarëve dhe të shkohet në zgjedhje sa më shpejt”, ka thënë Tahiri.