Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka kritikuar Qeverinë Kurti për dy vite të punës së saj, pasi sipas tij, gjatë kësaj periudhe ka pasur vetëm regres.
Përmes një postimi në Facebook, Tahiri ka thënë se në tendecë për ta kapur çdo institucion, ekzekutivi ka hartuar legjislacion në kundërshtim me parimet kushtetuese.
Bëhet fjalë për Ligjin për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK), i cili u shpall i pavlefshëm nga Gjykata Kushtetuese të premten.
“Dy vite regres! Anti-kushtetutshmëria. Në tendecë për ta kapur çdo institucion, hartuan legjislacion në kundërshtim me parimet kushtetuese dhe ndarjes së pushteteve, por që prap se ndalen kritikën se tjerët i bllokuan, e se gardiani i kushtetushmërisë u bë ‘pengesa e reformave’”, ka shkruar ai.
Tutje, Tahiri ka numëruar edhe “dështimet” e tjera të Qeverisë Kurti, si rritja e çmimeve, regresioni ekonomik, ikja e qytetarëve nga Kosova.
“Rritja e çmimeve – Me veprim (ngritje të çmimit të energjisë, tatimi në pronë) e mos veprim (ulje të taksave, akzisës) në politika tatimore, masa rregullative e vendime, goditën shtresën e mesme, futën duart në xhepat e qytetarëve por nuk u ndalën së krekosuri për rritje të hyrave tatimore, e për të gjetur fajtorë komunat”.
“Regresi ekonomik – Bllokuan bizneset, ndaluan investimet, ndalën zhvillimin ekonomik lokalë, rrezikuan zinxhirin ekonomik, por su ndalën së shpërndari mjegull për buxhetet më të mëdha historike”.
Ai ka përmendur edhe Trustin, duke thënë se në vend se t’u japin qasje qytetarëve në mjetet e tyre për ta kapërcyer inflacionin, “me papërgjegjshmërinë e tyre inflacioni i mori ato për favorizuar tregjet ndërkombëtare”.