Deputeti nga radhët e PDK-së, Abelard Tahiri ka reaguar pasi Presidenti Hashim Thaçi e ka dekretuar Avdullah Hotin e LDK-së si kandidat për kryeministër.
Përmes një shkrimi në Facebook, ka thënë se nga një koalicion i shpresave të rreme, po kalohet tek një koalicion i interesave të bëme.
“Presidenti paska dekretuar Avdullah Hotin si kandidat për kryeministër i qeverisë së re. Kështu, ish zëvendëskryeministri që para tre muajsh e lavdëronte shefin e tij Albin Kurtin si kryeministër i shpresës, tani po ia zë vendin, për shkak se Albini paska qenë kryeministër i shthurjes. Pra nga një koalicion i shpresave të rreme, po kalojmë tek një koalicion i interesave të bëme. Do ta kemi një qeveri të re që është kombinuar nga rrethanat e përfitimet, por s’ka të bëjë asgjë me parimet”, thotë Tahiri.
Sipas tij, qeveria në ardhje do të qeveri e plogësht përballë sfidave emergjente si pandemia, e të çakorduar përballë sfidave si zhvillimi e ekonomia.
“Por në tërë këto zhvillime politike, ku koalicionet ranë e u ngritën shpejt, qytetarët megjithatë nuk morën përgjigje se ku mbeti shpresa e LDK-së dhe Vetëvendosjes, dhe si u bënë “kapësit e djeshëm të shtetit”, partnerë të LDK-së në qeverinë e re”, thekson ai.
Sipas tij, Vetëvendosja dhe LDK-ja, janë e njëjta mendësi shantazhuese, që synojnë të përfundojnë në qeverisje përfituese.
“Natyrisht se përballë këtij devalvimi të integritetit politik, detyrat tona si opozitë bëhen më të mëdha. Kosova meriton shumë më mirë se kaq, e një ditë, shumë afër, do ta ketë atë që e meriton”, ka shkruar Tahiri.