Site icon PrishtinaPress

Tahiri-Kusari Lilës: Në raport me Avdullah Hotin nuk mund të marr seriozisht, na pate lodh tu na lyp vota për të

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri gjatë fjalës së tij në Kuvendin e Kosovës, ku është duke u diskutuar për ligjin anti-COVID, kritikoi ashpër qeverinë e kaluar por edhe këtë të tanishmen, duke thënë se me papërgjegjësinë e tyre kanë bërë që qytetarët më shumë tu besojnë fjalëve të këngëtarëve sesa krerëve të shtetit.

Tahiri tha se Qeveria Kurti nuk ka dërguar asnjë ligj në Kuvend, teksa Qeveria Hoti po e refuzon Ligjin anti-COVID.

Ish-ministri i drejtësisë tha se Lëvizja Vetëvendosje është e pasinqertë dhe mashtruese, pasi në kohën kur po vdesin nga 16 qytetarë të Kosovës, po kërkojnë mbajtjen e zgjedhjeve.

“T’i kërkosh një qytetari në këtë kohë t’i drejtohet kutive të votimit, është papërgjegjësi e madhe. Edhe sikur partia ime të mbështeste këtë iniciativë, unë nuk do të pranoja që të isha pjesë e asnjë liste, t’ju kërkoja qytetarëve të ma jepnin votën e të rrezikojnë jetën e tyre”, tha Tahiri.

Ai shtoi se nëse LVV-ja do të propozonte një mazhorancë tjetër, do ta mendonte votën, por që zgjedhjet nuk janë opsion.

Në emër të grupit parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila ia ktheu Tahirit duke i thënë se për tu thirrur në fakte, duhet të përmend se në kohën kur ishte Qeveria Kurti ka pasur 10 fish më pak raste edhe të të infektuarve edhe të qytetarëve të vdekur nga COVID-19.

Ndërkaq, në replikën e tij, Tahiri tha se nuk mund ta marr seriozisht Kusari-Lilën, pasi ishte ajo që kishte kërkuar më herët vota për Avdullah Hotin, kur ai ishte kandidat për kryeministër.

“Për Avdullah Hotin nuk mundem më të marrë seriozisht, sepse në vitin 2017 na ke pas lodh tu e  kërkuar votën për të për kryeministër, nëpër debate televizive, nëpër tribuna, duke na thënë se është kandidati më i mirë për kryeministër,pra në raport me të nuk mundem me të marrë seriozisht. Unë konsideroj se gjithçka që thashë është e vërtetë”, tha Tahiri.

Exit mobile version