Site icon PrishtinaPress

Tahiri: Kurtit iu pamundësua ta vërë nën kontroll KPK-në

Në PDK e kanë mirëpritur vendimin e Kushtetueses për ta rrëzuar Ligjin për KPK-në. Në këtë parti opozitare thanë se me verdiktin e Gjykatës është mbrojtur rendi kushtetues nga, siç theksuan, tendencat e Qeverisë dhe kryeministrit Kurti për ta vënë nën kontroll Këshillin Prokurorial

Në Partinë Demokratike (PDK) e kanë mirëpritur të shtunën vendimin e Gjykatës Kushtetuese për ta rrëzuar Ligjin për Këshillin Prokurorial (KPK).Kryetari i Grupit Parlamentar të kësaj partie, Abelard Tahiri, tha në një konferencë shtypi se, përmes këtij vendimi, është mbrojtur rendi kushtetues nga, siç tha, tendencat e Qeverisë dhe kryeministrit Albin Kurti për ta vënë nën kontroll KPK-në.

“Kemi pasur një debat jashtëzakonisht të gjatë dhe kemi kërkuar nga ministrja e Drejtësisë dhe kryeministri që ky projektligj të tërhiqet sepse si i tillë padyshim që nuk i përmbush standardet kushtetuese të Republikës së Kosovës dhe nuk mund të kalojë. Mbrëmë, Kushtetuesja ka bërë publike që këtë ligj e ka nxjerrë në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës e Kosovës, gjë që është lajm shumë i mirë për drejtësinë në Kosovë që pushteti i madh i Albin Kurtit nuk arriti ta vendosë nën kthetra edhe një institucion kaq të rëndësishëm siç është KPK-ja”, ka thënë Tahiri. “Synimi i Qeverisë dhe kryeministrit Kurti ka qenë i qartë: Cenimi i integritetit dhe profesionalizmit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, në kuadër të fushatës së tyre për të nënshtruar të gjitha institucionet e pavarura të vendit. Fatmirësisht, përmes vendimit të saj, Gjykata Kushtetuese na dha të drejtë në argumentimin tonë dhe e rrëzoi këtë vendim si antikushtetues”.

Sipas tij, po të miratohej ky ligj do të ishte kapje e fuqishme e Këshillit Prokurorial të Kosovës nga Kurti.

“Të ndodhte një miratim i një ligji të tillë, do të ishte një përmbysje apo një kapje e fuqishme e KPK-së që sot mund të jetë nga Albin Kurti, e nesër nga një mazhorancë tjetër. Është një ligj që e cenon rëndë pavarësinë e Këshillit Prokurorial të Kosovës. Ky ligj nuk e ka pasur përkrahjen as të partnerëve tanë ndërkombëtarë që funksionojnë në Kosovë”, ka thënë ai.

Tahiri, i cili ka qenë ministër i Drejtësisë, e quajti të paaftë udhëheqjen aktuale të këtij dikasteri, për t’i çuar deri në fund nismat ligjore. Ai e ka akuzuar Ministren e Drejtësisë për mbipopullim të institucionit me staf politik, të cilin e ka quajtur të padijshëm.

“Këta njerëz është shumë lehtë për t’i sfiduar. Pra, vetëm ne dy. Vetëm me këshilltarin tim dhe avokatin Faton Fetahu dhe i kemi sfiduar, sepse janë të pa ditur. Pra, po bëhen dy vjet dhe asnjë iniciativë e tyre në drejtësi nuk jep asnjë efekt”, ka thënë Tahiri.

E, avokati i PDK-së, Faton Fetahu, i cili ka hartuar kërkesën për ta rrëzuar ligjin, tha se dokumenti ia mundësonte politikës ta diktonte vendimmarrjen në KPK, nëpërmjet zgjedhjes së dy anëtarëve.

“Nga shtatë anëtarët e propozuar, dy prej tyre do t’i zgjidhte shumica parlamentare, sipas këtij ligji. Kjo dyshe, e zgjedhur nga shumica parlamentare, do të kishte një fuqi mbizotëruese në raport me votat e anëtarëve të tjerë, në mënyrë që: Votimi për kryeprokuror, votimi për avancimin, shkarkimin, largimin, transferimin, degradimin e prokurorëve të merrej vetëm nga kjo dyshe”, ka thënë Fetahu.

Ai ka thënë se vendimi i Kushtetueses përbën një betejë të fituar nga vetë qytetarët e Kosovës.

“Katër nenet të cilat ne i kemi kontestuar, të cilat me saktësi i konstatoi Gjykata Kushtetuese, e të cilat rezultuan me shkeljen e gjashtë neneve të Kushtetutës, preknin në thelb funksionimin e rendit tonë kushtetues. Prandaj, kjo fitore është fitore e së drejtës sonë kushtetuese përballë përpjekjeve të Qeverisë për të ndërhyrë, për ta kapur dhe nënshtruar Këshillin Prokurorial”, ka thënë Fetahu.

Krahas PDK-së, kërkesë për rrëzimin e Ligjit për KPK-në pati dorëzuar në Kushtetuese edhe partia tjetër opozitare – LDK-ja. Zyrtarë të saj kërkuan dorëheqjen e ministres Albulena Haxhiu, pas vendimit të Kushtetueses.

Exit mobile version