Site icon PrishtinaPress

Tahiri: Kjo Qeveri krijon shpenzime në kurriz të qytetarëve, do të bëjmë çmos ta rrëzojmë

Shefi i deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se vendimi i fundit i Qeverisë për librat ka qenë goditja e fundit për arsimin në Kosovë.

Ai ka thënë se do të bëjnë çmos që ta rrezojnë këtë qeveri, sepse ajo “krijon shpenzime në kurriz të qytetarëve dhe nuk bën asnjë punë të mirë”.

Tahiri ka pasur kritika edhe për mungesën e mazhorancës në seancën e jashtëzakonshme, ku pritej të diskutohej për furnizimin me tekste shkollore për nxënësit e nivelit të arsimit fillor dhe të mesëm të ulët.

Siç tha ai në një konferencë për medie, sesioni vjeshtor është dashur të fillojë me diskutimin për tekstet shkollore, por kjo nuk ndodhi për fajin e VV-së.

“Besoj që nuk ka gjë më të arsyeshme sesa sot të hapej sesioni vjeshtor për një çështje e që e prek ardhmërinë e vendit tonë dhe që prek rreth 210 mijë nxënës. Pra janë e ardhmja jonë dhe ju po e shihni që tani e tutje nuk ka asnjë gjë të vetme që kjo legjislaturë të vazhdojë punën. Janë duke e degraduar punën në çdo rrafsh”, tha ai raporton Ekonomia Online.

 “Goditja e fundit është goditja që i dhanë arsimit, dhe ata nuk u turpëruan nga ne që nuk erdhën në seancë por u turpëruan nga prindërit e nxënësit sepse kjo ishte e tmerrshme atë që e dëgjuam në konferencë për medie. Ne do të bëjmë çmos që këtë legjislaturë ta dërgojmë në shtëpi sepse kjo legjislaturë krijon shpenzime në kurriz të qytetarëve dhe nuk bën asnjë punë të mirë”, u shpreh Tahiri.

Exit mobile version