Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri në konferencë për media ka thënë se në dy vitet e fundit me Qeverinë Kurti kemi parë vetëm rritje enorme të çmimeve.
Tahiri pas mbledhjes së Kryesisë tha se këto rritje të çmimeve u kanë pamundësuar qytetarëve që me të ardhurat mujore që kanë, të furnizohen me produktet esenciale ushqimore.
Tutje ai shtoi se si PDK kanë parë vetëm rritjen e çmimeve, ani pse do donin që vërtetë të kishte rritje ekonomike.
“Qytetarët ate qe e kena perjetu keto dy vitet e fundit, ka qenë rritja enorme e çmimeve, ketu s’po flasim për rritje ekonomike, po për rritje të çmimeve që ju pamundëson qytetarëve të Kosoves me te ardhnat mujore qe te furnizohen me produktete esenciale ushqimore. Do donim të ishte e vertetë, që vërtetë të kishte pas rritje ekonomike, por ne e kemi parë të kundërtën, kemi parë rritjen e çmimeve”, tha Tahiri.
Deputeti i PDK-së, gjithashtu tha se të enjten e 24 nëntorit në seancën e radhës në Kuvendin e Republikës së Kosovës do të diskutohet edhe për gjendjen në shëndetësi.
“Si grup parlamentar i PDK kemi kërkuar votimin e një rezolute që ka të bëjë me gjendjen në shëndetësi në Republikën e Kosovës. Ky sektor kaq i rëndësishëm është mbet pa ministër, dhe e shohim që nuk e ka fokusin fare të Kryeministrit dhe Qeverisë, është e patolerueshme që për një periudhë kaq të gjatë, siç është shëndetësia të mbetet pa ministër. Fokusi i Qeverisë ka humbur fare, kemi degradim të shërbimeve, situatë që po ndikon në xhepin e qytetarëve të Kosovës, pasi janë ata që duhet t’i blejnë medikamentet e tyre të nevojshme, pavarësisht gjendjes politike të shëndetësisë, pasi nuk arrijnë të furnizohen me barna. Të enjten në seance kemi debat, ka shumë afera korruptive që kane ndodhur gjatë kësaj periudhe”, tha Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së.