Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, në seancën e sotme plenare të Kuvendit të Kosovës, ka thënë se gjithçka që ka qenë në platformën ‘Krejt dhe drejt’ ishte një mashtrim i madh.
Tahiri ka paraqitur bilancin tre vjeçar të qeverisë në rrafshin e brendshëm.
“Jemi vetëm gjashtë ditë para 14 shkurtit, kur LVV-ja fitoi zgjedhjet, pra tri vjet qeverisje. Në secilin vend normal do të bëhej një bilanc dhe në secilën demokraci funksionale do të ishte një llogaridhënie se çka ka ndodhur për tri vjet nga një pushtet që i ka mbi 50%”, tha Tahiri.
Fjalimi i plotë:
Bilanci tre vjeçar: Stagnim dhe dobësim i shtetit!
Jemi vetëm gjashtë ditë para 14 shkurtit, kur LVV-ja fitoi zgjedhjet, pra tri vjet qeverisje. Në secilin vend normal do të bëhej një bilanc dhe në secilën demokraci funksionale do të ishte një llogaridhënie se çka ka ndodhur për tri vjet nga një pushtet që i ka mbi 50%.
Po paraqes vetëm tri bilance në rrafshin e brendshëm:
• Investimet kapitale
Për dy vjet e nëntë muaj, kjo Qeveri nuk ka arritur të ekzekutojë 1 miliardë e 100 e 25 milionë euro në investime kapitale, që nënkupton se për këtë shumë kemi më pak rrugë, më pak shkolla dhe gjithçka që ka qenë në platformën ‘Krejt dhe drejt’ ishte një mashtrim i madh.
I). Në vitin 2021 nuk janë realizuar 254 milionë euro;
ii). Në vitin 2022 nuk janë realizuar 533 milionë euro;
iii). Në vitin 2023 nuk janë realizuar 338 milonë euro.
A jeni duke e kuptuar për çfarë kabineti qeverisës jemi duke folur? Ato janë shifra zyrtare të bilanceve dhe të raportimit që e bënë Ministria e Financave. Fjalë plot, punë aspak! Para dy vitesh ju kam thënë që e keni marrë Kosovën me çelësa në dorë. Tri vjet pas, vetëm një investim kapital – ajo është ura në Saradran që e lidh fshatin e Bekë Berishës me fshatin e Arben Gashit.
• Pagat në sektorin publik/paga minimale
Për tri vite rresht është diskutuar për pagat në sektorin publik dhe pagën minimale. Pagat në sektorin publik janë tmerri i tmerrit! Realisht, rritje te 80% e administratës së shërbyesve civilë ka vetëm prej 20-40 euro. A e dini ku është rritja më e madhe e pagës? Rritja më e madhe me mbi 50% është te kryeministri, ministrat, te të emëruarit politikë.
Paga minimale në sektorin privat është ende ajo që ka qenë para 11 vitesh. Paga minimale është në trajtim në Gjykatën Kushtetuese, për shkak se shuma e cila është prezantuar prej 250 eurosh, në fakt ajo pagë ka qenë në sektorin publik. Kjo ka qenë vetëm për ta mbuluar një të vërtetë që ekziston. Ne kemi kërkuar që paga minimale të jetë 400 euro dhe në të, të përfshihen veteranët e UÇK-së, të cilët janë hequr nga ligji.
Kjo platformë politike e majtë ka ardhur me dy premtime të mëdha: të bërjes së sigurimit shëndetësor dhe pensionet.
A ka mundësi ta dimë se pse nuk vjen sigurimi shëndetësor dhe pse nuk është në diskutim? Për tri vjet nuk keni arritur ta bini në Kuvend një ligj për sigurimet shëndetësore.
• Kategoria sociale – pensionistët
Dje, Shemsedin Dreshaj e dorëzoi një ankesë të Avokati i Popullit. Si mund t’u dilni pensionistëve përpara, kur e dini mirë se çka keni premtuar për këtë kategori? E dini mirë çka keni premtuar për banimin social, por asgjë. Reflektoni edhe pse është viti i fundit, por kjo duhet të jetë baza e diskutimit, e ballafaqimit dhe llogaridhënies të kësaj qeverie.
Aferim për çdo punë që e keni bërë në veri, por mos u mundoni t’u gjuani hi syve popullit, për shkak se jeta është varfëruar, ndërsa ekonomia është dobësuar.