1.9 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Buy now

spot_img

“Tagespiegel” për heqjen e vizave: Më shumë mosbesim sesa entuziazëm në Prishtinë

E përditshmja e Berlinit “Tagespiegel” thotë për vendosjen e regjimit pa viza të Bashkimit Evropian për Kosovën: “Në Prishtinë ka lehtësim, por nuk ka vërshime entuziazmi”.

Autori i tekstit kujton gjithashtu se ky vendim i Parlamentit Evropian vjen në një kohë të tensionit të shtuar me Serbinë.

“Më tepër me mosbesim sesa me entuziazëm, kosovarët të cilët janë pyetur nga ekipet televizive lokale në radhë para konsullatës zvicerane në Prishtinë se si reagojnë ndaj lajmit të mirë nga Strasburgu se pritjes së dhimbshme së shpejti do t’i vijë fundi. ‘Do të ishte mirë, por unë personalisht nuk mundem ta besoj’”, thotë kryefamiljari Adem Alilaj, shkruan DW në gjuhën serbe.

Në tekst thuhet se nga 1 janari 2024, 1.7 milionë qytetarë do të mund të udhëtojnë në zonën Schengen për tre muaj pa vizë.

Autori citon edhe deklaratën entuziaste të Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani: “Lajm madhështor për Kosovën dhe për BE-në”.

Për viza – 89 milionë euro

Autori kujton se procesi i vendosjes së regjimit pa viza u pengua nga Franca dhe Holanda, vendim i cili për vendet fqinje-kandidate për anëtarësim në BE, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia është marrë në vitin 2009. Një vit më vonë, i njëjti vendim u mor për Shqipërinë dhe Bosnjë e Hercegovinën.

“Ndërsa moldavët mund të udhëtojnë pa viza që nga viti 2014, dhe qytetarët e Gjeorgjisë dhe Ukrainës që nga viti 2017, kosovarët janë ende në radhë para konsullatave. Duhet pranuar që Komisioni Evropian në vitin 2018 kishte deklaruar se ishin plotësuar të gjitha kushtet për heqjen e vizave, por fakti që pesë anëtarë të BE-së ende nuk e njohën shtetësinë e Kosovës e vonoi liberalizimin e premtuar prej kohësh. Sipas vlerësimeve, në pesë vitet e fundit, banorët e atij vendi të varfër ballkanik është dashur të paguajnë 89 milionë euro për viza dhe të dorëzojnë një mal me dokumente që u nevojiten”, shkruan “Tagespiegel”.

Autori vlerëson se lufta në Ukrainë e përshpejtoi vendosjen e regjimit pa viza me Kosovën, sepse partnerët në Bashkimin Evropian kishin frikë nga përhapja e ndikimit rus në rajon.

“Shqetësimin se heqja e vizave mund të përshpejtojë emigracionin masiv të të rinjve në Perëndim, nuk e ndan aktivisti Veton Mujaj nga Peja, i cili merret me mbrojtjen e të drejtave të njeriut: ‘Nëse të rinjtë tanë mund të udhëtojnë, më në fund do ta kenë një tablo realiste të jetës në Perëndim’”.

“Vendim i gabuar”

Në tekst janë përcjellë edhe reagime nga Beogradi, si ai i ministrit të Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, i cili thotë se ky vendim është i keq, sepse shqiptarët e Kosovës kanë refuzuar që nga viti 2013 ta realizojnë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, dhe tani ata ende po shpërblehen. Në tekst përmenden edhe akuzat e zakonshme të drejtuara ndaj Beogradit nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, duke e quajtur Serbinë një “satelit të Rusisë” dhe një “kërcënim serioz” për sigurinë e Kosovës.

Autori kujton se nën presion, Beogradi dhe Prishtina ranë dakord me planin e Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve, por nuk e nënshkruan atë. Më pas përshkruan qëndrimin e presidentit Aleksandar Vuçiq se normalizimi me Kosovën është “jo realist”, si dhe qëndrimin e ashpër të Prishtinës ndaj serbëve në veri të Kosovës, i cili “më shumë thellon se sa që zbut mosbesimin e pakicës”.

Autori thekson se marrëveshja e Ohrit ka shfaqur një sërë dobësish: “Përveç kërkesës së paqartë që Kosova të fillojë ‘menjëherë’ zbatimin e Asociacionit të Komunave [me Shumicë, shën.red.] Serbe, nuk ka afate të qarta. Përveç kësaj, stimulimi nuk është mjaft tërheqës dhe sanksionet nuk janë aq të frikshme, për ta çuar Beogradin në avokimin më të vendosur për një marrëveshje”.

Në fund, autori citon deklaratën e një diplomati të paidentifikuar për Radion Evropa e Lirë, sipas të cilit karotat e Bashkimit Evropian “nuk janë veçanërisht të shijshme dhe shkopi nuk është mjaft i fortë”.

“Larg BE-së”

Gazeta e përditshme gjermane “Mynihut Zidojce Zeitung” boton një artikull mbi të njëjtën temë nën titullin “Më pak pengesa”.

“Përndryshe, nuk ka pasur shumë përparim të prekshëm në dhjetë vitet që kanë kaluar nga nënshkrimi i marrëveshjes (së Brukselit). Vështirë se mund të flitet për normalitet në marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, të dyja palët janë ende shumë larg anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Retorika nga të dyja palët është e përshkuar me mosbesim, për të mos thënë më së paku”.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img