Site icon PrishtinaPress

Tadiq: Nuk do ta nënshkruaja propozimin franko-gjerman, Vuçiq e ka humbur Kosovën

Ish-presidenti i Serbisë dhe kryetari i Partisë Socialdemokrate, Boris Tadiq, tha se nuk do ta nënshkruante propozimin franko-gjerman për Kosovën dhe se qeveria aktuale ka përgjegjësi historike për zgjidhjen e çështjes së Kosovës.

Ai vuri në dukje se absurdi më i madh është se pushteti i Vuçiqit e humbi Kosovën në paqe.

Tadiq tha se përgjegjësia e këtij pushteti për pozitën e Serbisë sot në kontekstin e zgjidhjes së çështjes së Kosovës është e madhe “nëse merret parasysh se të njëjtat opsione kanë qenë në pushtet në vitet nëntëdhjetë, sigurisht që mund të flasim për përgjegjësi historike”.

“Natyrisht, e kam parasysh se përgjegjësinë më të madhe historike e kanë ata që kanë mundur të vendosin për këtë çështje para viteve 1990, e sidomos para Kushtetutës së vitit 1974. Gjatë viteve 1990 Serbia e humbi Kosovën në luftë, dhe është absurde që e ka humbur në dekadën e fundit dhe në paqe”.

Ai theksoi se “vetëm gjatë qeverisjes sonë arritëm të mbrojmë në paqe atë që nuk u humb në luftë, edhe pse në kohën tonë ishte shpall zyrtarisht pavarësia e Kosovës. Paradoksi historik apo ligjshmëria, varësisht nga këndvështrimi, është se të ashtuquajturat forca nacionaliste dhe patriotike ishin më së paku mbrojtëse ndaj interesave patriotike, ndërsa ne, që akuzoheshim për tradhti, dolëm të ishim i vetmi opsion vërtet patriotik”.

I pyetur nga “Nova.rs” se çfarë do të bënte, tani kur është në tavolinë propozim evropian, të cilin Serbia duhet ta nënshkruajë deri në verë, nëse do ta nënshkruante, Tadiq tha se do të ishte e papërgjegjshme që t’i përgjigjej kësaj pyetjeje, “ndërkohë që ende nuk e dimë tekstin përfundimtar që do të ofrohet për nënshkrim, dhe jo vetëm për balonat provues”.

“Atë që kam parë deri tani dhe çfarë është shfaqur në publik, nuk do ta nënshkruaja. Dhe ndryshe nga të tjerët, këtë nuk e them në mënyrë demagogjike, por qëndroj me pjesën time pas, pasi nuk pranova të nënshkruaj atë që më vonë u nënshkrua nga ky pushtet si Marrëveshja e Brukselit”.

Sipas tij, nëse do të nënshkruhej një marrëveshje brenda kornizës që po diskutohet në qarqet publike dhe ndërkombëtare, do të jetë shumë më e vështirë, pothuajse e pamundur, që Serbia të parandalojë anëtarësimin e Kosovës në OKB.

“Ky pushtet sot, është e qartë, duhet të ketë qenë i njoftuar për kërkesat që do t’i shtrohen Serbisë për të paktën disa muaj dhe nuk ka bërë asgjë për ta penguar atë. Ju kujtoj se edhe në shtator në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, Vuçiq nuk ka thënë një herë në fjalimin e tij se anëtarësimi i Kosovës në OKB është i papranueshëm për Serbinë”.

“Dhe kjo ishte absolutisht e nevojshme, sepse ai e dinte që atëherë se pikërisht ai anëtarësim do të vendosej si kërkesë në propozimin e ‘pesëshes’. Është e padiskutueshme që ky pushtet pranoi një qëndrim pasiv në rrethana historike në të cilat pati mundësi të bënte një kthesë me politikë aktive, lobim dhe një ofensivë të fortë diplomatike. Këto rrethana lidhen veçanërisht me luftën në Ukrainë. Në vend që të ishte një mundësi për një rishikim global të çështjes së Kosovës, e cila gjithashtu qëndron në bazën e shkakut të shpërthimit të kësaj lufte, për Serbinë kjo nënkuptonte dorëzimin e interesave tona legjitime kombëtare pikërisht për çështjen e Kosovës. Përveç nënshkrimit të marrëveshjeve të Brukselit dhe Uashingtonit, ky pushtet është më përgjegjësi për këtë. Dhe mbi të gjitha, ata do të mbajnë përgjegjësi për pasojat e pakuptueshme të propagandës dekadash, në të cilën, në përpjekje për t’ia hedhur përgjegjësinë pushtetit tonë, ata rishkruan brutalisht historinë”, përfundoi Tadiq.

Exit mobile version