10.2 C
Pristina
Monday, November 18, 2024

Buy now

spot_img

Szunyog:Kosova ka shënuar progres, por ka ngecje në sundimin e ligjit

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë përmes Shtëpisë së Evropës organizoi një panel diskutimi me organizatat e shoqërisë civile të  titulluar “Raporti i Zgjerimit: Çfarë ka në të për Kosovën?”.

Në këtë debat, ku u diskutua për progresin e Kosovës dhe atë se çfarë mund të bëjnë akterët e ndryshëm, me theks të vecant organizatat e shoqërisë civile për të ndihmur kët proces, morrën pjesë Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë Tomash Szunyog, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, Arbëresha Loxha Stublla nga GLPS dhe Taulant Hoxha nga KCSF.

Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së në Kosovë, Szunyog, duke folur për Raportin tha se Kosova qëndron pothuajse njëjtë me të gjitha vendet e rajonit.

Por sipas tij, Kosova ka ngecur mbrapa në sundimin e ligjit dhe implementimin e agjendës për energjinë. Ndikim në Raportin e Zgjerimit 2022, sipas tij, ka pasur edhe lufta në Ukrainë.

“Raportimi na ka gjetur në një situatë më ndryshe sesa viteve të kaluara, duke marrë parasysh rrethanat gjeopolitike, pra luftën në Ukrainë”.

“Kosova udhëhiqet nga një parti që ka shumicën e vendeve në Parlament dhe raportimi një-vjeçar ka ndodhur pa u ndërruar Qeveria”, ka vërejtur ai.

“Performanca e Kuvendit duhet të ketë progres më të madh. Kriza energjetike ka prekur edhe Kosovën dhe kemi pritur që agjenda e energjisë të implementohet, por kjo nuk ka ndodhur. Një fushë tjetër ku Kosova ka ngecur mbrapa është sundimi i ligjit, duhet të kemi një sistem më funksional me rezultate më të mira. Nëse i analizojmë raportet e gjashtë vendeve të Ballkanit, mund ta shohim se Kosova ka ngjashmëri të mëdha me këto vende”.

Szunyog ka thënë se deri në fund të këtij viti do të merret një vendim për liberalizimin e vizave. Ai shtoi se është i lumtur që kryeministri Albin Kurti, ka thënë se deri më 2024 do të duhej të arrihej një marrëveshje me Serbinë.

Sipas tij, ky proces lidhet ngushtë edhe me anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

“Dialogu është një çështje e cila nuk u përmend ende sot, por është thelbësore në progresin e Kosovës. Kosova duhet të punojë më shumë në procesin e dialogut. Presidenca çeke e ka futur liberalizimin e vizave të Kosovës në agjendë. Besoj që vendimi do të merret deri në fund të këtij viti”.

Zëvendëskryeministër i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog Besnik Bislimi, tha se do të fokusohen në dy fusha në drejtësi dhe ekonomi, duke shtuar se zhvillimi ekonomik edhe përkundër polemikave do të jetë sipas parashikimeve të Qeverisë.

Madje ai tha se do të përqendrohen edhe në reformimin e administratës publike, duke kërkuar edhe mbështetjen dhe vlerësimin e BE-së për progresin në Kosovë.

“Ambasadori e përmendi veçorinë e këtij raporti – lufta në Ukrainë, kjo na ka prekur në dy mënyra, me rritje të çmimeve dhe kriza energjetike. Prioritetet tona fokusohen në dy shtylla, në drejtësi dhe ekonomi. Te ekonomia mund ta përmendim zhvillimin ekonomik, edhe pse ka shumë dezinformata, të dhënat e institucioneve e kanë treguar këtë”.

“Sundimi i ligjit nuk mund të rregullohet brenda ditës, i duhet kohë që të bjerë në binarë. Në 12 muajt e ardhshëm, përveç krizës energjetike, që është prioritet i çdo Qeverie, Kosova duhet të fokusohet në reformimin e administratës publike”.

“Ne e kemi strategjinë për energjinë, që është e njëjta me ato të vendeve evropiane. Puna është kryer, vetëm nuk është aprovuar. Problemi në Kosovë është se vazhdimisht ka probleme në blloqet ku prodhohet energjia elektrike dhe se kemi jo-stabilitet edhe në kërkesën për energji”.

Bislimi shtoi se Kosova këtë vit do të aplikojë statusin për e vendit kandidat për Bashkim Evropian. Në këtë konferencë ai foli edhe për takimin me përfaqësuesin e posaçëm të BE-së për dialogun Miroslav Lajçak.

“Bashkimi Evropian duhet të jetë më i hapur ndaj progresit të Kosovës. Ndoshta Kosova është shumë e vogël për një progres kaq të madh. Si ka mundësi që një nxënës që është ‘notuar’ keq po performon më mirë sesa një nxënës që është notuar më mirë?. Këtë vit do ta dërgojmë edhe aplikimin për statutin e kandidatit”.

“Takimi në Bruksel ka qenë tek e tek, vetëm unë me zotin Lajçak. Asgjë që është thënë në media nuk përkon me atë që ka ndodhur. Petkoviqi nuk ka qenë fare në Bruksel, siç mediat kanë raportuar”.

Arbresha Loxha, drejtoreshë ekzekutive e Grupit për Studime Politike dhe Juridike (GLSP), tha se projektligjet e nxjerra nga Qeveria që kanë të bëjnë me reformën në administratë publike nuk janë në pajtueshmëri me Kushtetutën.

Ajo pati kritika për Qeverinë, duke thënë se edhe pse e ka shumicën nuk po mund të sigurojë koriumin në Kuvend.

Sipas saj, është shënuar progres në fushën e menaxhimit të migrimit, në luftën kundër terrorizmit, në lirinë e medias etj.

“Përkundër faktit që kjo Qeveri ka shumicën, ka mungesë të kuorumit në Kuvend. Kohezioni politik brenda Kuvendit është shumë i rëndësishëm. Është shënuar progres në fushën e menaxhimit të migrimit, në luftën kundër terrorizmit, në lirinë e medias etj”.

“Ne si GLPS konsiderojmë që projektligjet e nxjerra nga Qeveria karshi reformës së administratës publike nuk janë në pajtueshmëri me Kushtetutën. Problem tjetër është numri i madh i pozitave të ushtruesve të detyrave në institucione”.

Taulant Hoxha, drejtor ekzekutiv i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), tha se fokus i institucioneve viteve të fundit ka qenë liberalizimi, prandaj edhe ka pasur pengesa në procese.

Ai ka kërkuar përparim në të drejtat e punëtorëve dhe në pakon e Kodit Civil, raporton EO.

“Fokusi i Kosovës ka qenë gjithmonë në liberalizimin e vizave, prandaj mund të themi se në vitet e fundit kemi pasur një ‘përgjumje’ në këtë proces”.

“Mendoj se duhet të bëjmë përparim në dy fusha, në të drejtat e punëtorëve dhe në pakon e Kodit civil, sepse janë fusha që e prekin të gjithë shoqërinë”.

Panelistët kanë theksuar se institucionet e Kosovës duhet të angazhohen që t’i adresojnë sfidat dhe të zbatojnë politikat dhe rekomandimet që dalin nga Raporti i Zgjerimit./Prishtinapress/

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img