Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, është takuar me kryeministrin Kurti dhe ka falënderuar qeverinë e Kosovës për rreshtimin krah BE-së për sanksionet ndaj Rusisë.
Szunyog tha se qeveria e Kosovës ka bërë një pozicionim të qartë politik ndaj agresionit rus.
“Faleminderit Albin Kurtit dhe qeverisë së Kosovës për pozicionin e juaj të qartë politik dhe rreshtimin me paketën e sanksioneve të BE-së në lidhje me agresionin e Rusisë ndaj Ukrainës”, ka shkruar Szunyog.

Qeveria e Kosovës ka miratuar të premten një pako me sanksione kundër Rusisë, pas pushtimit të Ukrainës.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se Kosova me këtë vendim u është bashkëngjitur Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian në kundërpërgjigjen ndaj sulmit rus në Ukrainë.
“Ushtria ruse është ajo e cila me këtë agresion e bëri Evropën të tronditet dhe arkitekturën e sigurisë ndërkombëtare të rimendohet”, ka thënë Kurti.