Site icon PrishtinaPress

Sylejmani për sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit: Grupet terroriste kanë ndryshuar strategji

Ish-eprori i Policisë së Kosovës, Rrahman Sylejmani, e ka cilësuar sulmin në kanalin Ibër-Lepenc si një nga më të rëndët, duke e krahasuar atë me sulmin në Banjskë.

Sipas tij, dëmtimi i infrastrukturës kritike dëshmon një ndryshim strategjik të grupeve terroriste.

“Është sulmi më i rëndë, pas sulmit të Banjskës. Ky dëmtim i infrastrukturës kritike tregon se grupet terroriste, të shpartalluara pas ndërhyrjes në Banjskë, kanë ndryshuar strategjinë dhe metodat e veprimit,” tha Sylejmani për Tëvë1.

Ai paralajmëroi se edhe pse pjesa më e madhe e këtyre grupeve janë shpallur në kërkim dhe gjenden jashtë Kosovës, ato mund të rikthehen përmes rrugëve ilegale dhe kanë ende mbështetës brenda territorit të vendit.

Sylejmani theksoi se cenimi i infrastrukturës kritike përbën një rrezik serioz për sigurinë e Kosovës, pavarësisht që deri më tani nuk ka pasur viktima njerëzore.

“Në 10 ditët e fundit kemi pasur tri sulme të ngjashme me mjete shpërthyese, dhe dëmet janë të mëdha,” shtoi ai.

Këto deklarata vijnë në një moment kur institucionet e sigurisë së Kosovës janë në alarm pas një vargu sulmesh që synojnë destabilizimin e vendit dhe cenimin e jetës së qytetarëve.

Exit mobile version