Gazetari Valon Syla tha sot se kryeministri Albin Kurti po e pranon në parim Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Por, thotë se kryeministri kosovar po e gjuan “topin te Vuçiqi”.
”Ajo që po shohim është që Kurti po i pranon të gjitha, por topin po ia gjuan Vuçiqit duke thënë se pa e nënshkruar ai asgjë nuk ka garancë, që nënkupton që as ai nuk pajtohet”, ka thënë Syla në Pressing.
Ndryshe, Qeveria e Kosovës në një komunikatë për media ka njoftuar se kryeministri Albin Kurti, e ka pranuar Marrëveshjen Bazike të Brukselit të 27 shkurtit 2023 dhe Aneksin Zbatues të Ohrit të 18 marsit 2023.
“Këto dokumente të dakorduara janë një sukses i përbashkët me Bashkimin Evropian. Marrëveshja duhet zbatuar në tërësi, pa kushte, pa vonesa”, thuhet në njoftim.
Në komunikatën e lëshuar nga Qeveria bëhet e ditur se presidenti serb, Aleksandër Vuçiq e ka refuzuar marrëveshjen duke dhënë një arsyetim.
”Presidenti i Serbisë, Vucic, ka refuzuar të nënshkruajë marrëveshje me Kosovën, dhe ka kërkuar që t’i pranohet një letër anësore me të cilën praktikisht i zhbën tri parime të Marrëveshjes Bazë, të Aneksit të Zbatimit si dhe të draftit të propozuar nga pesë emisarët me 21 tetor 2023”, thuhet në njoftim.