Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla sot ka vizituar në QKUK tre policët që u aksidentuan mbrëmë me autoblindë, raporton GazetaDemos.
Sveçla pas vizitës tha se shkaqet e aksidentit janë duke u hetuar, teksa shtoi se gjendja e policëve të lënduar është në përmirësim e sipër.
“Sapo mbërrita mbrëmë nga Kroacia vizitova në QKUK tre policët tanë që po marrin trajtim mjekësor. U takova po ashtu edhe me familjarët e kolegët e tyre. Me Ministrin e Shëndetësisë Arben Vitia takuam mjekët që po përkujdesen për shëndetin dhe trajtimin adekuat. Ata na njoftuan e siguruan se janë duke i trajtuar policët me kujdesin më të lartë profesional”, tha ai.
Ministri po ashtu falënderoi mjekët kujdestar për kujdesin për rikuperimin e policëve.
“Teksa gjendja e tyre fatmirësisht po përmirësohet, falënderoj përzemërsisht të gjithë mjekët të cilët nga mbrëmë kanë bërë të pamundurën që policët tanë të kenë kujdesin dhe trajtimin e nevojshëm për rikuperimin e tyre. Shkaqet e aksidentit po hetohen por jam shumë i lumtur që djemtë tanë janë jashtë rrezikut për jetë. Iu uroj të kthehen sa më shpejt në detyrë, në shërbim të qytetarëve e vendit tonë”, shtoi ai.