Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka gënjyer kur tha se djali i tij u ndalua tri herë nga Policia e Kosovës, shkruan Gazeta Express.
Sveçla tha se ai është larguar vetëm njëherë, kur i është kërkuar që ta largojë bluzën në të cilën sipas Sveçlës kishe shkrime provokative.
“Gjithë e dimë që Vuçiq ka qenë ministër i propagandës në qeverinë e Millosheviqit m por që është gënjeshtar kronik po na e dëshmon çdo ditë. Ai nuk është ndal tri herë por vetëm njëherë në dalje të komunës së Prishtinës në drejtim të Serbisë”, tha ai.
Për sa i përket hyrjes së tij në Kosovë, ministri tha se djali i Vuçiqit ka hyrë në Kosovë si qytetarë i rëndomtë.
“Sa i përket djalit të Aleksandër Vuçiqit, ai në Kosovë ka hyrë si një qytetarë i rëndomtë. Edhe sipas marrëveshjes së Brukselit por edhe sipas praktikave të deritanishme për hyrjen e qytetarëve të rëndomtë nuk ka procedura të veçanta,. Ai pastaj u shfaq në Graqanicë me atë bluzë provokative. PK-ja sipas informatave që mi kanë dhënë kanë marrë vendim që t’i ndalin veturat që janë sjellë në mënyrë të dyshimtë. Atij i është kërkuar dhe është realizuar heqja e bluzës me mesazh provokativ për shumicën e qytetareve të Kosovës dhe me kaq e gjitha ka përfunduar dhe ata janë larguar për Serbi”, tha ai.
Më tutje, Sveçla tha se ai ka hyrë përmes pikës kufitare në Merdare.
“Ai ka hyrë në Merdarë. Kur është bërë kontrollimi i veturave ku ai ka qenë nuk është gjet asgjë e dyshimtë”, tha ai.